Last Updated on 26/10/2026 by Monika
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar pas zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi, duke vlerësuar rolin e lëvizjes studentore dhe të angazhimit qytetar në kërkesën për ndryshime politike, forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit.
Në një deklaratë publike, KASH thekson se protestat masive paqësore dhe shprehja e vullnetit qytetar janë të drejta themelore në çdo shoqëri demokratike, ndërsa nënvizon rëndësinë e llogaridhënies dhe respektimit të institucioneve.
Këshilli përshëndet gjithashtu angazhimin e shqiptarëve në procesin zgjedhor në Serbi, të cilët, sipas projeksioneve paraprake të përmendura në deklaratë, pritet të sigurojnë nga dy deri në tre mandate parlamentare.
Megjithatë, shqetësim mbetet pasivizimi i adresave dhe pengesat që, sipas KASH-it, cenojnë të drejtat zgjedhore të shqiptarëve në Serbi. Për këtë çështje, Këshilli kërkon trajtim në përputhje me standardet evropiane dhe angazhim të vazhdueshëm diplomatik nga Shqipëria, Kosova, partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e specializuara.
Në reagimin e tij, KASH thekson se ndryshimet politike në Serbi duhet të shoqërohen edhe me një qasje të re ndaj Republikës së Kosovës, si dhe me hapa konkretë drejt normalizimit të marrëdhënieve dhe integrimit evropian.
Në përfundim, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nënvizon se demokracia nuk përfundon me fitoren në zgjedhje, por dëshmohet përmes përgjegjësisë në qeverisje, respektimit të institucioneve dhe ndërtimit të marrëdhënieve paqësore me vendet fqinje./mxh
