Katari kërkon forcimin e partneritetit të mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë ndërkombëtarë, pas sulmeve ajrore të Iranit ndaj territorit të tij, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari.
Në një konferencë për mediat, Al-Ansari theksoi se partneriteti strategjik me SHBA-në mbetet i fortë dhe nuk vihet në dyshim, por situata e sigurisë në rajon kërkon forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Ai tha se sulmet e fundit kanë vënë në shënjestër edhe infrastrukturën jetike, përfshirë objektet e prodhimit të energjisë në Katar. Sipas tij, ndalimi i këtyre sulmeve është kushti kryesor për çdo zgjidhje të mundshme të krizës.
Zëdhënësi theksoi gjithashtu se infrastruktura civile, si impiantet e ujit të pijshëm, rezervat ushqimore dhe objektet farmaceutike, po përballen me kërcënime serioze, duke paralajmëruar se sulme të tilla mund të çojnë në një katastrofë humanitare në rajon.
Sipas tij, çdo konflikt duhet të zgjidhet përmes dialogut, por në kushtet aktuale Katari është i përqendruar kryesisht në mbrojtjen e territorit dhe qytetarëve të tij. Ai bëri të ditur se ka pasur një bisedë telefonike mes kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Katarit me ministrin e Jashtëm të Iranit, kontakti i vetëm zyrtar mes dy palëve që nga fillimi i konfliktit.
Al-Ansari paralajmëroi gjithashtu se sulmet ndaj objekteve energjetike dhe pengimi i lundrimit detar në rajon mund të kenë pasoja të mëdha për ekonominë globale, duke ndikuar në furnizimin me energji dhe tregjet ndërkombëtare.
Tensionet në rajon janë rritur ndjeshëm pas sulmeve me raketa dhe dronë nga Irani ndaj vendeve të Gjirit, në përgjigje të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit që, sipas raportimeve, vranë disa nga drejtuesit më të lartë iranianë. Konflikti ka shkaktuar ndërprerje në prodhimin e energjisë dhe rritje të ndjeshme të çmimeve të naftës.
Katari është gjithashtu vendi ku ndodhet baza më e madhe ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, baza ajrore Al Udeid, e cila është goditur gjatë përshkallëzimit të fundit të konfliktit./mxh
