Jeta e Kate Middleton dhe Princit William nuk përbëhet vetëm nga eventet mbretërore, udhëtimet dhe ceremonitë zyrtare. Princesha e Uellsit ka zbuluar një detaj krejt të zakonshëm nga përditshmëria e familjes së saj.
Gjatë një vizite në West Sussex Minibus, një shërbim komunitar në Pulborough, Kate u përfshi në biseda me banorët dhe mori pjesë në drekën javore të organizuar për të moshuarit. Gjatë qëndrimit të saj, ajo vizitoi edhe 94-vjeçaren Stella Drewett, me të cilën më pas udhëtoi në autobusin e shërbimit.
Biseda mori një kthesë më personale kur u diskutua për punët e shtëpisë. Kate tregoi me humor se një prej detyrave që i pëlqen të bëjë është larja e enëve.
Kur u pyet nëse William kontribuon gjithashtu në punët e shtëpisë, ajo zbuloi se çifti i ka ndarë detyrat mes tyre.
“Ai lan enët. Jemi një dyshe e mirë. Dhe i përfshijmë fëmijët”, tregoi Kate.
Pra, edhe në familjen e Princit dhe Princeshës së Uellsit, punët e përditshme duket se ndahen mes të gjithëve. George, Charlotte dhe Louis, tre fëmijët e çiftit, përfshihen gjithashtu në detyrat e shtëpisë.
Rrëfimi i Kate solli një tjetër anë të familjes mbretërore, këtë herë larg protokollit, kurorave dhe angazhimeve zyrtare, duke treguar një rutinë familjare që ngjan shumë më tepër me atë të çdo shtëpie tjetër./mxh
