Një moment i papritur gjatë intervistës së Anne Hathaway në “The Tonight Show Starring Jimmy Fallon” bëri që të gjithë të kthenin sytë nga aktorja.
Hathaway, e cila është shtatzënë me fëmijën e saj të tretë, po bisedonte me Jimmy Fallon për filmin e saj të ri “Verity”, kur papritur vendosi dorën mbi bark. Reagimi i saj bëri që moderatori dhe disa prej të pranishmëve të mendonin për një çast se mund t’i kishin nisur kontraksionet.
Por situata rezultoi shumë më e thjeshtë. Aktorja sqaroi se nuk po përjetonte ndonjë shqetësim serioz, por thjesht po kërkonte një pozicion më të rehatshëm. Pasi kuptoi se gjesti i saj kishte shkaktuar panik të vogël në studio, momenti u kthye në shaka.
Gjatë intervistës, Hathaway foli edhe për ndryshimet që ka vënë re në këtë shtatzëni. Ajo tregoi se këtë herë është shumë më e ndjeshme ndaj aromave dhe po përballet edhe me probleme të lëkurës, ndryshe nga shtatzënia e saj e parë, kur lodhja ishte simptoma që e kishte shqetësuar më shumë.
Aktorja zbuloi gjithashtu se kishte planifikuar të merrte pjesë në “Hot Ones”, por mjeku e këshilloi të hiqte dorë nga sfida me ushqimet pikante për shkak të rrezikut të lindjes së parakohshme.
Ndërkohë, Hathaway është në qendër të vëmendjes edhe për projektin e saj më të fundit, “Verity”, ku luan përkrah Dakota Johnson dhe Josh Hartnett. Thrilleri psikologjik është realizuar bazuar në romanin me të njëjtin emër të Colleen Hoover dhe është planifikuar të shfaqet në kinema më 2 tetor./mxh
