Katie Price ka rikthyer në vëmendje konfliktin e saj të hershëm me Victoria Beckham, duke bërë disa deklarata të forta në dokumentarin e ri “Katie Price: Nothing To Hide”.
Modelja britanike u ndal te periudha kur ishte në një lidhje me këngëtarin Dane Bowers, duke pretenduar se marrëdhënia e tyre nisi të ndryshonte pasi ai bashkëpunoi me Victoria Beckham në këngën “Out of Your Mind” në vitin 2000.
Sipas Price, asaj nuk iu lejua të shoqëronte partnerin gjatë turneut promovues të projektit muzikor, një situatë që, sipas saj, ndikoi negativisht në marrëdhënien e tyre.
“Gjithçka ishte perfekte derisa ai nisi të punonte me Victoria. Ajo periudhë më bëri të ndihesha sikur nuk isha mjaftueshëm e mirë”, u shpreh Price.
Ajo pretendon gjithashtu se në atë kohë besonte se Victoria Beckham po përpiqej ta largonte Dane Bowers nga ajo dhe ta afronte me një mike të saj. Megjithatë, Price pranoi se Beckham kishte treguar edhe gjeste dashamirëse ndaj saj, duke i dhuruar një palë këpucë rozë.
Në dokumentar, Katie Price komenton edhe dokumentarin e Victoria Beckham në Netflix, të cilin e cilëson si “tepër të kuruar, të montuar dhe të mërzitshëm”.
Pavarësisht kritikave, ajo thekson se vazhdon ta respektojë Victoria Beckham si grua dhe si një figurë të suksesshme publike.
Dokumentari “Katie Price: Nothing To Hide” do të publikohet më 8 korrik dhe pritet të sjellë rrëfime të sinqerta për karrierën, marrëdhëniet personale dhe sfidat që modelja ka përjetuar ndër vite./mxh
