Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi sot se e sheh me respekt propozimin e Lituanisë për të hequr ndalimin kushtetues mbi vendosjen e armëve bërthamore në territorin e saj.
Pas takimit në Berlin me liderët e shteteve baltike, Merz tha se kjo është para së gjithash një çështje politike që i takon Lituanisë, por shtoi se nisma tregon sa seriozisht e percepton vendi kërcënimin nga Rusia.
“Jo vetëm që nuk kam arsye ta kritikoj këtë, por e vlerësoj me respekt gatishmërinë e Lituanisë për të mbrojtur vendin e saj dhe territorin e NATO-s”, u shpreh Merz.
Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, propozoi këtë javë një ndryshim kushtetues për të hequr ndalimin e vendosjes së armëve bërthamore në territorin lituanez.
Ai tha se vendi synon të shfrytëzojë të gjitha mundësitë për parandalimin bërthamor dhe të bëhet pjesë integrale e këtij mekanizmi të NATO-s.
Lituania, e cila kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit dhe me Bjellorusinë e konsideron veten veçanërisht të kërcënuar nga Rusia.
Megjithatë, aktualisht nuk ka plane konkrete për vendosjen e armëve bërthamore në territorin e saj.
Sipas raportimeve jozyrtare, armë bërthamore amerikane janë të dislokuara aktualisht në shtatë vende të NATO-s; Gjermani, Belgjikë,
Holandë, Itali dhe Turqi në kuadër të programit të ndarjes bërthamore të aleancës, ndërsa Britania e Madhe dhe Franca zotërojnë arsenalet e tyre bërthamore.
Edhe Polonia ka shprehur interes për t’u përfshirë në sistemin e parandalimit bërthamor të NATO-s dhe po zhvillon bisedime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për këtë çështje./Mxh
