Deklaratat e Katy Perry-t për ish-bashkëshortin e saj, Russell Brand, po rikthehen në vëmendje pas dënimit të aktorit me 10 vjet e 6 muaj burg. Në një intervistë të dhënë për Vogue në vitin 2013, këngëtarja foli hapur për dinamikën e marrëdhënies së tyre dhe për sjelljen që, sipas saj, e kishte lënduar gjatë martesës 14-mujore.
Perry tregoi se Brand nuk e kishte mirëpritur faktin që ajo kishte një rol drejtues gjatë turneut të saj muzikor.
“Atij nuk i pëlqente që unë kisha kontrollin gjatë turneut. Kjo më lëndoi shumë. Sjellja e tij ishte shumë kontrolluese dhe më mërziste”, ishte shprehur këngëtarja.
Ajo kujtoi gjithashtu se në fillim të njohjes, Brand dukej se kërkonte një partnere të të njëjtit nivel. Megjithatë, me kalimin e kohës, Perry kishte krijuar përshtypjen se ai nuk ndihej rehat me këtë barazi.
“Kur e takova, ai donte një partnere të të njëjtit nivel. Mendoj se shumë herë burrat e fuqishëm duan një grua që është e barabartë me ta. Por, kur e fitojnë, kuptojnë se nuk mund ta përballojnë atë barazi”, ka thënë ajo.
“Një ish-i im duhet të jetë në burg”

Deklaratat e saj kanë marrë një tjetër domethënie pas një episodi gjatë koncertit të korrikut 2025. Në atë kohë, Katy Perry bëri një koment me humor për një ish-partner, duke thënë se ai duhej të ishte në burg. Këngëtarja nuk përmendi emra dhe nuk konfirmoi se po i referohej Russell Brand.
Sipas burimeve pranë saj, Perry kishte marrë disa oferta për të folur publikisht rreth kësaj teme dhe për të ndarë përvojën e saj, por kishte zgjedhur të mos ndërmerrte asnjë hap derisa të përfundonte procesi gjyqësor.
Russell Brand i njoftoi divorcin me një mesazh
Katy Perry dhe Russell Brand u martuan në Indi në tetor të vitit 2010, por martesa e tyre zgjati vetëm 14 muaj. Në dhjetor 2011, këngëtarja mori një mesazh nga aktori, përmes të cilit ai e njoftonte se kishte ndërmend të paraqiste kërkesë për divorc.
Në atë periudhë, Perry po merrte pjesë në xhirimet e dokumentarit Katy Perry: Part of Me, i publikuar në vitin 2012. Kamera regjistroi edhe momentin kur ajo mësoi për vendimin e bashkëshortit, duke e bërë atë një nga skenat më personale të dokumentarit.

Në film, këngëtarja tregoi se kishte bërë gjithçka që mundej për të shpëtuar martesën, por marrëdhënia nuk kishte arritur të mbijetonte.
“Momentet e vështira që shoqërojnë momentet e bukura janë pjesë e udhëtimit dhe unë mësova shumë nga kjo përvojë”, ishte shprehur ajo në atë kohë.
Russell Brand dënohet me 10 vjet e 6 muaj burg
Më 9 nëntor, Russell Brand u dënua me 10 vjet e 6 muaj burg, pasi u shpall fajtor për tri akuza për sulm seksual dhe një akuzë për përdhunim.
Aktori, i njohur edhe për filmin Get Him to the Greek, është i martuar me Laura Brand që prej gushtit të vitit 2017. Ajo ka qenë pranë tij gjatë procesit gjyqësor dhe pas shpalljes së vendimit./k.m
