Last Updated on 07/05/2026 by Monika
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka ngritur sërish në Kuvend shqetësime lidhur me procedurat e licencimit dhe strukturën aksionare të Jet Bank, duke kërkuar më shumë transparencë nga Banka e Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Këlliçi ngriti disa pikëpyetje mbi ndryshimet e pronësisë së bankës dhe rolin e kompanive të përfshira në strukturën aksionare. Sipas tij, shtetasi Idan Avishai kishte aplikuar fillimisht si aksioner i vetëm dhe kishte marrë miratim paraprak, por më pas aksionet janë transferuar tek një kompani offshore.
Deputeti demokrat pyeti publikisht se përse ishte i nevojshëm ky transferim dhe çfarë funksionesh do të kenë kompanitë e tjera aksionare, të cilat sipas tij nuk kanë eksperiencë bankare dhe nuk kanë kryer investime konkrete.
Këlliçi hodhi dyshime se këto kompani mund të përdoren si “mbulesë politike” ose si instrumente ndikimi në procesin e miratimit të bankës. Ai pretendoi se, bazuar në rregulloren e Bankës së Shqipërisë, ndryshimi i strukturës aksionare duhet të kishte sjellë pezullimin e menjëhershëm të procedurës deri në verifikimin e plotë të aksionarëve dhe kapitalit.
Sipas deputetit të opozitës, pavarësisht këtyre ndryshimeve, procedura ka vijuar “me ritme rekord”, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë dhënë sqarime publike.
Këlliçi deklaroi gjithashtu se kërkesat e tij drejtuar Bankës së Shqipërisë për të marrë CV-në dhe profilin profesional të Idan Avishai janë refuzuar me argumentin se dosja është sekret.
“Pse ishte e nevojshme që shtetasi Idan Avishai pasi kishte aplikuar si aksioner i vetëm dhe kishte marrë miratimin paraprak të transferonte aksionet te një kompani offshore?
Cilat funksione do të mbulojnë kompanitë e tjera aksionare ku nuk kanë investuar asgjë dhe kanë 0 eksperiencë bankare?
A janë këto komapni mbulesë politike apo instrumente ndikimi në këtë procedurë?
Sipas rregullores së BSH ky ndryshim i strukturës aksionare detyronte pezullimin e menjëhershëm deri në verfikimin e plotë të aksionarit dhe kapitalit.
Procedura në vend të stoponte këtu vazhdon me ritme rekrod.
Ëshët e papranueshme që dokumente që gjenden lehtësisht nga deputetët apo qytetarët e thjeshtë të mos gjenden nga institucionet e specializuara për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit. Deri sot s’kam asnjë përgjgije nga BSH.
Kërkesat e mia të përsëritura drejtuar BSH për të marë cv dhe profilin profesional të Idan Avishai janë refuzuar duke thënë se dosja është sekret. Dosja e aksionerit ku shqiptarët do depozitojnë kursimet e një jete qenkan sekret.
Jo për qytetarët e zakonshëm por dhe për kuvendin”, tha Këlliçi./mxh
