Last Updated on 04/03/2025 by adminfjala
Nga Kastriot Kotoni
“Nuk këndoj për fitoren, por jam i kënaqur” dhe kënga e Saliut “Ik, ik nëpër det!” Nesër për shqiptarët do të jetë një ditë e re. Mirëdita Shqipëri! Por pyetja shtrohet: A do të qëndrojë në Shqipëri Sali Berisha pas humbjes? Kënga me ikjen në det është për atë që ka hipur në varkë. Varka nuk i nxe të gjithë, do thotë dikush. E sigurtë është që nuk do vetëvritet njeri, as për t’u hedhur në Lanë e jo më në liqen, pas ditës së votimit. Bota atë ditë do të ketë punë me intimitetet e veta. Perëndimorët atë ditë do të shpërndajnë perzevativë falas, për ndërgjegjësimin e të rinjve dhe ky aksion quhet “gjesti i qetë”. Tek ne agjenda politike do hungërijë si ngaherë me marshin e ritmin e trumpetës së çarë “Na i vodhën votat!”… Tek klithmat e dëshpërimit do vijojë beteja për gjetjen e fajtorit dhe si gjithmonë nisin të kërkojnë kryetarin në ikje. Ai si gjithnjë premton, se pas çdo humbje do të largohet nga partia dhe njerëzit që nuk i mbajnë lotët, nuk e besojnë, se u kujtohet kënga e vlonjatit “O Sali, ore vëlla, kthehu se neve bëmë shaka!”, ndaj kanë frikë se mos u shkon e qara kot. Shqiptarët me plisa, pa plisa, në kokë që u kish premtuar fitoren kryetari, varen në muret e partisë, si rroba për t’u tharë… Ata si edhe vëllezërit e tyre emigrantë me bindje të majta, do e bëjnë të tyren me entuziasmin dhe gjallërinë që do t’i japin fushatës… “Me ne fitojnë të gjithë” – ky sllogan, a nuk e meriton përgjigjen “Ndoc Rrokun do fitoni”?
Po a e ndjek hallin e qytetarit vendas ai në emigracion?
Apo do të ndodhë si ajo parrulla e socialistëve të Skraparit në fushatën e zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996. Ata shkruanin: “E gjithë Shqipëria si Skrapari”, që do të fitonte ngjyra rozë në të gjithë Shqipërinë si në Skrapar. Pushteti i Berishës e përdori këtë parrullë në mënyrë semantike që “Socialistët duan ta lënë Shqipërinë të prapambetur si Skrapari”, a thua se Skrapari ishte i dënuar pse, nuk votonte Partinë Demokratike? Po atë ditë të 23 majit, në Pallatin e Sportit në qytetin e Durrësit, iu bë atentat Servet Pëllumbit i cili shpëtoi për fije të perit nga një kaçavidë… Në dy muajt e fushatës së PD-së kishin ardhur politikanë e udhëheqës nga e gjithë Evropa, pse ndihej i pa sigurtë pushteti i Berishës, një Zot e di? Dhunë dhe vjedhje votash nuk kish parë Shqipëria si më 26 maj të 1996-s. Bashkimi Europian i bënte thirrje partisë në pushtet në ato zona ku kishte parregullsi të zhvilloheshin zgjedhje , kjo parti vazhdoi me kokfortësi të besonte tek fitorja e vjedhur. Edhe nga Amerika u kërkuan përsëritja e zgjedhjeve në 40 zona, përsëri edhe kjo kërkesë ra në vesh të shurdhët. Shtypi europian i kohës komunikonte “Shqipëria drejt izolimit”. Këshilli i Europës është gati ta bëjë këtë gjë deri sa të zhvillohen zgjedhje të reja demokratike. “Strasburgu: Fund i bashkëpunimit me Shqipërinë” duke kërkuar anullimin e zgjedhjeve të 26 majit dhe 2 qershorit. Historitë e tjera dihen nga opinioni botëror dhe ai shqiptar. Këtu është gjeneza e krijimit të elektoratit në diasporën e re dhe të vjetër shqiptare. A e konsideron vota e emigrantit presionin që bëjnë partitë me elektorat sa një furgon, ndaj partive të mëdha. Kjo histori na kujton këngën korçare “Të tjera bën, e të tjera thua”. Kanë nga 25 vjet në media dhe asnjë cop deputet nuk nxjerrin pa kualicion. Ka strateg në botë që i pranon humbësit në kualicion? Mirë do t’ishte që të mos bëhej fushatë elektorale jashtë kufijve shtetërorë, por edhe sipas kushtetutës: Çfarë të drejte përfaqësojnë emigrantët, kur luftojnë në vendet e tjera ku kanë shkuar për një jetë më të mirë, për të votuar me të drejta të barabarta si shtetas të atij shteti? Ta zemë ka shtete që nuk e lejojnë shtetësinë e dyfishtë, ore jeni në taketuke?! Barrën e përgjegjësisë e mbajnë shtetasit që paguajnë taksat e detyrimet brenda territorit të atij vendi. Ata kanë marrë pjesë në organizata politike dhe ushtrojnë në bazë të lirive dhe të drejtave kushtetuese të drejtën për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur. Nëse politika nuk e frenon fenomenin e emigrimit, duhen gjetur shkaqet dhe bëhen ligje që e dekurajojnë këtë fenomen në shkallë botërore. Ka emigrim mes shteteve tejet të zhvilluara dhe nuk është më ky koncepti i ikjes gjoja i “trurit”, apo krahut të lirë të punës. Lufto korrupsionin, rrit meritokracinë, shkrije Akademinë e Shkencave, ose transformoje në një organ këshillimues, pa të cilin mos hidh asnjë hap, forco kërkimin shkencor! Bota i ka shkencëtarët thesare që përgatisin strategjitë e perspektivës së një vendi dhe nuk i lejojnë politikanët të bëjnë sipas qejfit. Në trupin e shkencëtarit duhet të vibrojë gjallëria e një ideali.