Last Updated on 17/06/2025 by adminfjala
Komisioni Europian i ka vendosur Greqisë një gjobë të rëndë prej 392.2 milionë eurosh për dështime sistematike në menaxhimin e fondeve të Bashkimit Europian për sektorin e bujqësisë gjatë periudhës 2016-2023. Lajmi u raportua nga Politiko.
Sipas Komisionit, agjencia greke përgjegjëse për mbikëqyrjen e subvencioneve, OPEKEPE, ka kryer pagesa pa kontrolle të mjaftueshme në terren, duke lejuar shpërdorimin e fondeve dhe duke mos garantuar që ndihmat të përfitoheshin nga fermerët e ligjshëm.
Vendimi i Komisionit erdhi pas një skandali të madh të mashtrimeve me subvencionet bujqësore, i cili aktualisht po hetohet nga Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO). Hetimet kanë zbuluar se dhjetëra qytetarë grekë kanë përfituar fonde të BE-së për zhvillimin e kullotave që nuk i zotëronin apo për aktivitete bujqësore që në fakt nuk i kishin realizuar kurrë.
Për shkak të këtij skandali, qeveria greke ka vendosur muajin e kaluar të mbyllë agjencinë OPEKEPE, e cila është në qendër të hetimeve.
Greqia pritej të përfitonte rreth 1.9 miliardë euro në pagesa direkte nga BE për vitin e ardhshëm, por tashmë një pjesë e konsiderueshme e kësaj shume, afërsisht një e katërta, do të shkurtohet për të mbuluar gjobën e vendosur nga Brukseli./E.T