Last Updated on 29/04/2026 by EL
Nga ARTUR AJAZI
Napoleon Bonaparte ka thënë se “partitë janë grupime dhe jo individë, ato ndjekin interesat e tyre dhe të vërtetën, pasi të dyja janë mjete pushteti”. Partitë politike edhe në Shqipëri, kanë funksionuar qëmoti, si grupime, me interesa, ide, dhe programe të përbashkëta. Pas vitit 1992, në Shqipëri nisën të kirijohen parti të shumta. Asokohe kishte një thënie që përdorej edhe në takime intelektualësh, “jemi që jemi, mblidhemi dhe formojmë një parti”. Tranzicioni i gjatë, i vështirë dhe aspak i ngjashëm me vendet e tjera postkomuniste, i bëri partitë tona të jenë më tepër qesharake, se dinjitoze. Mbijetuan dhe kanë shansin të mbijetojnë për arsye të ndryshme dhe logjike, vetëm 2 prej tyre, Partia Socialiste, dhe Partia Demokratike. Kjo për faktin sepse janë të vetmet formacione politike, që provuan pushtetin, në tranzicionin e gjatë të Shqipërisë. Duam nuk duam ne, aktualisht Partia Socialiste mbetet formacioni politik më solid, në Shqipëri. “Partia nuk mund të jetojë pa debatin e brëndshëm”- ka thënë Benjamin Franklin. Qartësisht kjo ka ndodhur gjithmonë tek Partia Socialiste. Ka ndodhur në 1991, 1992, 1998, 2001, 2005, dhe vazhdon të ndodhë edhe sot. Edi Rama nuk është pedant, por si kryetar partie, ai kërkon të ketë funksionim normal të jetës së brëndshme në parti, të ketë debate të brëndshme, propozime dhe vendimarrje që do shërbenin interesit të partisë. Kur qeveris, pra kur je në pushtet, ky interes bëhet dyfish më i rëndësishëm, pasi ke në dorë fatin e qytetareve. Shpërthimet e ditëve të fundit në emra të përveçëm në gjirin e Partisë socialiste, i japin të gjithë të drejtën e kryetarit Edi Ramës, që edhe si kryeminister, ti kujtojë kujdo atje se “në partinë tonë kushdo që shkel rregullat, është i lirë të zgjedhë lirinë e tij politike, por jashtë rradhëve tona”. Ne akoma jetojmë me mentalitetin e kaosit, me logjikën e “unit”, duke mos frenuar interesat dhe emocionet tona, edhe pse ato, mund të dëmtojnë partinë dhe grupimin politik ku militon. Partia ka funksionet e një familje të madhe, e cila ecën, jeton dhe zhvillohet mbi bazën e ca rregullave dhe normave strikte. Nuk mund të dalësh nga korniza politike, dhe të thuash se “kam dëshirë të bëj këtë, të them atë, dhe të ndryshoj këtë, edhe pse nuk janë dakort 99 per qind e partisë”. Eshtë kuptuar keq, mënyra se si lind dhe zhvillohet jeta politike brënda një partie. Ajo ç’ka po ndodh në Partinë Demokratike, dhe ajo që po ndodh edhe brenda Partisë Socialiste, nuk ngjasojnë fare me njëra-tjetrën. Në PD, ka revoltë, ka pakënaqësi, ka shtypje, ka denigrim, pa përçarje, ka largime masive, ka humbje të mbështetjes popullore, ka diktaturë. Gjëra të tilla, nuk kanë ndodhur dhe nuk kanë gjasa të ndodhin kurrë në Partinë Socialiste, pasi ajo është forca politike që falë unitetit, lirisë, rritjes dhe demokratizimit të brëndshëm, pa harruar dhe rolin e Edi Ramës, ka shansin të qeverisë edhe pas 2030 Shqiperinë. Partia funksionon si, makinë organizimi, ide dhe pushtet. Në demokraci ka konkurrencë dhe kontroll, dhe nuk dominon interesi personal, por ai i grupimit politik.
