Last Updated on 17/07/2025 by adminfjala
Shtetet e Bashkuara e kërcënuan gjatë fundjavës Bashkimin Evropian me tarifa prej 30 për qind, duke tronditur Brukselin pikërisht kur po mendonte se bërja e një marrëveshjeje tregtare transatlantike ishte pothuajse punë e kryer.
Blloku ende shpreson se një marrëveshje do të mundë të arrihet para afatit të 1 gushtit, kur pritet të hyjnë në fuqi tarifat ndëshkuese të SHBA-së.
Por, BE-ja gjithashtu ka përgatitur kundërmasa, duke rritur mundësinë e një lufte tregtare me pasoja të rënda për ekonominë botërore.
Mund të thuhet se njoftimi i Donald Trumpit më 12 korrik – për vendosjen e një tarife të përgjithshme prej 30 për qind për të gjitha importet nga blloku me 27 vende anëtare – ishte goxha tronditës.
Prej se presidenti amerikan kërcënoi për herë të parë BE-në, si dhe shumicën e partnerëve të tjerë tregtarë botërorë, me masa të rënda tregtare në fillim të prillit, Brukseli ka qenë i gatshëm për ta gjetur njëfarë kompromisi.
Diplomatët dhe politikanët evropianë besojnë se një marrëveshje transatlantike ishte shumë pranë, duke lënë të kuptohet se mund të pranohej një tarifë bazë prej rreth 10 për qind, me përjashtime dhe kuota për industri të ndryshme që do të shtjelloheshin më vonë.
Duke folur në kushte anonimiteti, ata thonë se e shohin kthesën e papritur nga Shtëpia e Bardhë si një “taktikë negociuese” për ta siguruar një marrëveshje më të mirë, veçanërisht për kompanitë teknologjike amerikane që përballen me taksa të rritura në Evropë.
BE-ja ende shpreson se mund të arrihet diçka para afatit të 1 gushtit, edhe në qoftë se është vetëm një shtyrje për disa muaj.
Qëllimi është të rikthehen tarifat në 10 për qind apo afër kësaj shifre. BE-ja është e gatshme të pranojë tarifë prej 15 për qind si kufi maksimal pa ndërmarrë masa hakmarrëse.
Kundërmasa në vlerë miliarda euro
Ndërkohë, Komisioni Evropian ka përgatitur pikërisht kundërmasa të tilla. Madje ka përpiluar një listë 200-faqëshe me mallra amerikane që mund të goditen.
Të miratuara nga ministrat e Tregtisë të BE-së gjatë një takimi në Bruksel më 14 korrik, komisioni propozoi kundërmasa në vlerë 72 miliardë euro, që synojnë gjithçka, nga avionët, pjesët e makinave dhe pijet alkoolike si burboni, deri te sende më të vogla si çakmakët dhe tubat për duhan.
Kjo vjen mbi një grup tjetër kundërmasash në vlerë 21 miliardë euro, të përgatitura si përgjigje ndaj tarifave amerikane për çelikun dhe aluminin evropian, që do të hyjnë në fuqi më 6 gusht.
Duke pasur parasysh që propozimi fillestar hakmarrës, i parë nga Radio Evropa e Lirë, arrinte gati në 100 miliardë euro, kjo tregon se blloku është shumë i kujdesshëm që të mos duket tepër i ashpër ndaj Uashingtonit.
Marrëveshja është ende rezultati i dëshiruar, pra jo përshkallëzim i masave hakmarrëse dhe me të drejtë, duke pasur parasysh ekonominë e bllokut të përqendruar në eksport.
Derisa ende nuk ka ndonjë përllogaritje përfundimtare se si një luftë e plotë tregtare transatlantike do të ndikonte në ekonomitë evropiane dhe amerikane, komisionari evropian i Tregtisë, Maros Sefcovic, ka paralajmëruar se një tarifë prej 30 për qind do ta zhbënte në thelb tregtinë midis të dy palëve.
Frika për recesion
Kjo është një perspektivë e zymtë, duke qenë se tregtia dypalëshe BE-SHBA në mallra dhe shërbime kapi vlerën 1.68 trilion euro vitin e kaluar.
Kjo përfaqëson rreth një të tretën e gjithë tregtisë globale.
Kompani nga BE-ja dhe SHBA-ja kanë investuar së bashku 4.7 trilionë euro në tregjet e njëra-tjetrës. Edhe pse jo të gjitha këto investime do të zhbëheshin menjëherë, rreziku është i madh./kb