Qeveritë evropiane janë të tmerruara nga kërcënimet e Donald Trumpit për tregtinë, Groenlandën dhe të ardhmen e NATO-s. Por kërcënimi më i madh nuk është që Trump të pushtojë një aleat apo ta lërë Evropën në mëshirën e Rusisë. Ai qëndron në faktin se lëvizja e tij ideologjike mund ta transformojë Evropën nga brenda.
Mark Leonard*
Një vit pas rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, “revolucioni i dytë amerikan” po rrezaton drejt Evropës. Dosjet Epstein tregojnë se kjo nisi në mënyrë të ngathët në vitin 2018 me Steve Bannon; por është shndërruar në një partneritet shumë më të sofistikuar me rikthimin e Trumpit dhe ngritjen në pushtet të JD Vance. Strategjia Kombëtare e Sigurisë e SHBA-së, e publikuar nga Shtëpia e Bardhë në nëntor, bëri thirrje për forcimin e ndikimit në rritje të partive “patriotike” evropiane si Reform UK, Alternative für Deutschland (AfD), Rassemblement National (RN) i Marine Le Pen, Fidesz në Hungari dhe Vox në Spanjë. Ashtu si lëvizjet komuniste gjatë Luftës së Ftohtë, këto parti nacionaliste, populiste dhe në disa raste të së djathtës ekstreme kuptohen më mirë jo si fenomene kombëtare të izoluara, por si shprehje të një projekti intelektual të përbashkët – një lëvizje që, në shkallë të ndryshme, po përforcohet tani nga një fuqi e huaj.
Kjo lëvizje shpesh paraqitet si e kthyer nga e kaluara ose reaksionare, e përqendruar në rikthimin e një të shkuare të imagjinuar. Në realitet, forca e saj qëndron në faktin se është radikalisht bashkëkohore – e përshtatur me imtësi ndaj kushteve politike, shoqërore dhe intelektuale të shekullit XXI. Gjatë 18 muajve të fundit kam kërkuar ta kuptoj këtë lëvizje, duke biseduar me intelektualë hungarezë me syze, politikanë të rinj të rruar së fundmi nga RN në Francë, filozofë politikë hebrenj ortodoksë dhe mbështetës të palëkundur të Maga-s në SHBA. Bazuar në këtë kërkim, jam i bindur se, larg të qenit e ngujuar në të kaluarën, ajo është hiper-moderne dhe bartësit e saj kanë një analizë bindëse të dështimeve të demokracisë liberale dhe një rrugë drejt pushtetit. Prandaj quhet “e djathta e re”.
Në qendër të vetëkuptimit të kësaj lëvizjeje qëndron pretendimi se liberalizmi ka dështuar, bashkë me rendin global të ndërlidhur thellë që ai promovoi pas Luftës së Ftohtë. Sipas këtij rrëfimi, qytetarët kanë parë kulturat dhe ekonomitë kombëtare të goditura nga një varg i pandërprerë krizash që burojnë nga liberalizimi: kriza financiare globale e vitit 2008, kriza e eurozonës dy vjet më vonë, kriza e refugjatëve e vitit 2015, pandemia e Covid-it në 2020 dhe rritja e mprehtë e kostos së jetesës pas pushtimit rus të Ukrainës në 2022. Çdo krizë, sipas tyre, ka zbuluar kufijtë e qeverisjes liberale, ka mbingarkuar kapacitetet e shtetit dhe ka ushqyer dyshimet se interesat e kujt po shërbenin realisht qeveritë. Qeveritë shpëtuan bankat, theksojnë ata, por ulën pagesat sociale dhe lejuan sekuestrimin e shtëpive. Njerëzit e zakonshëm paguan çmimin e këtyre krizave – me humbje pune, shërbime të dobësuara ose fatura në rritje – ndërsa elitat u mbrojtën nga pasojat.
Një nga përfaqësuesit më artikulues të kësaj pikëpamjeje është Benedikt Kaiser, i akuzuar se dikur ka lëvizur në qarqe neo-naziste, i cili ka përqafuar politikën zgjedhore dhe po bëhet një nga zërat kryesorë në ekosistemin intelektual të AfD-së. Kaiser më tha se ishte bashkimi i këtyre krizave ai që kishte zbehur legjitimitetin e rendit liberal të pasluftës dhe të partive kryesore, duke krijuar hapjen thelbësore që kryengritësit politikë të kapnin agjendën politike.
Mbi bazën e këtyre krizave, lëvizja synoi të ndërtonte një koalicion të ri elektoral, duke iu drejtuar mbi të gjitha votuesve të klasës punëtore që ndjenin se kishin humbur, duke përjetuar rënie relative në të ardhura, siguri dhe status shoqëror. Ky apel është përmbledhur në një agjendë të qartë politike që shtrihet nga emigracioni te tregtia, politika e jashtme dhe reforma e shtetit, të gjitha të lidhura nga premtimi për të rikthyer një identitet të përbashkët kombëtar. Kufijtë u bënë mjet për të dalluar anëtarët “e vërtetë” të kombit nga të huajt. Tarifat u ripërkufizuan si mënyrë për të rindërtuar prodhimin vendas dhe për të ngritur dinjitetin e punës. Politika e jashtme u reduktua në një interes kombëtar të përcaktuar ngushtë. Ndërsa rezistenca institucionale u kapërcye duke sulmuar “shtetin e thellë” dhe duke diskredituar ekspertët si rojtarë të një rendi liberal tashmë të diskredituar.
Suksesi i së djathtës së re mbështetet edhe në zotërimin e saj të një mjedisi mediatik të fragmentuar – dhe në përdorimin e hapësirës algoritmike të informacionit. Ndërsa sfera publike u shpërbë në nënkultura online, ajo mësoi të anashkalojë gazetarinë tradicionale dhe të dominojë platformat digjitale. Duke avancuar një interpretim lejues të “lirisë së fjalës”, ajo krijoi aleanca me magnatë të teknologjisë si Elon Musk dhe e mbushi hapësirën online me narrativat dhe sloganet e saj. Shpesh e pajisur me “fakte alternative” dhe meme provokuese, e djathta e re tani dominon ekonominë e vëmendjes. Shkrimtari konservator amerikan Rod Dreher më përmendi rastin e Isabel Vaughan-Spruce, një aktiviste e krishterë e arrestuar dy herë në Birmingham për lutje jashtë një klinike aborti, për të ilustruar se si e djathta kryesore dhe ajo digjitale jetojnë tashmë në realitete krejt të ndryshme. Edhe pse Vaughan-Spruce është bërë figurë kulti në sferën informative të së djathtës së re, shumica e lexuesve të Guardian nuk kanë dëgjuar për të.
Ndoshta manovra e tyre më efektive ka qenë detyrimi i partive kryesore të hyjnë në një pozitë të pashpresë – duke i paraqitur ato si mbrojtëse të elitave dhe jo të punëtorëve, të vazhdimësisë dhe jo të ndryshimit. Për shumë kohë, partitë e vendosura e nënvlerësuan shkallën e kërcënimit. Kur reaguan, shpesh iu kthyen imitimit të retorikës përçarëse të së djathtës së re, veçanërisht për migracionin. Por imitimi shpesh pati efektin e kundërt: forcimin e sfiduesve në vend që t’i neutralizonte.
Çdo përgjigje efektive, pra, duhet të nisë duke pranuar forcën e kritikës së së djathtës së re ndaj liberalizmit. Kjo duhet shoqëruar me një projekt politik që flet për shqetësimet e klasës punëtore dhe përdor metoda të reja angazhimi – një qasje që ka funksionuar me sukses në Danimarkë dhe Holandë, si edhe në Kentaki dhe Nju Jork.
Ndoshta mësimi më i qartë vjen nga figura si Mark Carney dhe Anthony Albanese, të cilët kanë kuptuar se lidhja e populistëve të vendeve të tyre me revolucionin e Trumpit mund të jetë një dobësi për ta. Sondazhet e Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë sugjerojnë se trumpizmi mund të ndjekë një trajektore të ngjashme: në vend pas vendi, shumica të qarta tani e shohin rizgjedhjen e Trumpit si të dëmshme. Nëse forcat centriste zgjohen ndaj kërcënimit ndërkombëtar që paraqet revolucioni i dytë amerikan dhe bashkohen rreth një strategjie që i kthen pikat e forta të së djathtës së re në dobësi, ekziston ende mundësia që qendra politike të rishpikë veten si mbrojtësja e vërtetë e sovranitetit kombëtar dhe të përdorë lidhjet mes partive të së djathtës së re dhe Trumpit për t’i mposhtur ato.
Mark Leonard është autor i raportit The New Right: Anatomy of a Global Political Revolution dhe drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë me bazë në Berlin.
Burimi: theguardian.com/ Përgatiti për botim: L.Veizi
