Ngrohja globale mund të përshpejtohet edhe më tej nga vetë ndryshimet që po shkakton rritja e temperaturave në planet, paralajmëron një studim i ri.
Sipas kërkimit, shkrirja e ngricave të përhershme, zjarret më të shpeshta dhe më intensive në pyje, si dhe ngrohja e ligatinave dhe liqeneve, po çlirojnë sasi të mëdha metani dhe dioksidi karboni të ruajtura në tokë dhe bimësi.
Këto procese krijojnë të ashtuquajturat “cikle reagimi”, përmes të cilave ngrohja shkakton ndryshime që, nga ana tjetër, prodhojnë më shumë gaze serrë dhe e përshpejtojnë më tej ngrohjen.
Studiuesit vlerësojnë se deri në fund të këtij shekulli, emetimet nga këto burime natyrore mund ta rrisin ngrohjen globale me 20% deri në 30%, duke shtuar rreth 0.2°C deri në 0.4°C në temperaturën mesatare globale. Shifra përfundimtare do të varet edhe nga sa shpejt vendet do të reduktojnë përdorimin e lëndëve djegëse fosile.
Edhe ndryshime të vogla në temperaturën mesatare globale mund të kenë pasoja të mëdha, duke rritur rrezikun e valëve ekstreme të të nxehtit, përmbytjeve, thatësirave dhe fatkeqësive të tjera klimatike.
Shkencëtarët kanë kohë që paralajmërojnë për këto procese, por emetimet që vijnë nga burimet natyrore shpesh nuk përfshihen plotësisht në parashikimet klimatike.
“Ky shumëzues i fshehur mungon në modelet që udhëheqin politikat klimatike. Kjo do të thotë se modelet mund të nënvlerësojnë ngrohjen që na pret dhe të mbivlerësojnë sasinë e karbonit që mund të emetojmë ende”, tha Sam Abernethy, studiuesi që udhëhoqi kërkimin.
Autorët theksojnë se reduktimi i shpejtë i emetimeve nga lëndët djegëse fosile mbetet vendimtar. Në skenarin më optimist, ku emetimet ulen me shpejtësi, këto procese natyrore do të shtonin rreth 0.2°C ngrohje. Në skenarin më pesimist, shifra mund të arrijë në 0.4°C.
Një tjetër autor i studimit, shkencëtari i Universitetit Stanford, Rob Jackson, tha se ndryshimet në ciklet natyrore të karbonit po shihen tashmë “në kohë reale”.
“Rezultatet janë një kambanë alarmi dhe është e domosdoshme që ato të përfshihen në gjeneratën e ardhshme të politikave klimatike”, u shpreh ai.
Ndërkohë, politikat aktuale të qeverive pritet ta çojnë ngrohjen globale në rreth 2.6°C mbi nivelet para-industriale, sipas Climate Action Tracker, një skenar që do të sillte pasoja të rënda për miliarda njerëz, përfshirë rritjen e nivelit të detit dhe humbje të prodhimit bujqësor.
Studiuesit paralajmërojnë se sa më shumë të ngrohet planeti, aq më i madh bëhet rreziku që këto procese natyrore të çlirojnë edhe më shumë gaze serrë. Për këtë arsye, çdo fraksion i një grade ka rëndësi dhe reduktimi i emetimeve nga lëndët djegëse fosile bëhet gjithnjë e më urgjent./mxh
