Last Updated on 22/09/2026 by Monika
Gazetarja Klodiana Lala ka folur mbrëmjen e sotme lidhur me caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hysenit. E ftuar në emisionin “Opinion”, Lala u shpreh se SPAK ka dyshime për kryerjen e dy veprave penale nga Hyseni të cilat janë “nxjerrja e sekretit shtetëror dhe përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas Lalës, vepra penale “përkrahja e autorit të krimit”, është arritur në konkluzionin sepse ajo ka vënë në funksion të Agasit të gjithë infrastrukturën gjatë kohës që ai ishte në arrati. Gazetarja shtoi se ka dyshime se Hyseni e ka njoftuar Agasin për çdo lëvizje përfshirë ato të policisë. Ndër të tjera shtoi se dyshohet se i ka vënë në dispozicion Agasit dhe informacione për rivalët e tij.
“Duhet të kemi parasysh që, pak më parë, paralelisht me këtë vendim është urdhëruar kontrolli i banesës së Ilir Proda. SPAK ka dyshime për dy vepra penale: nxjerrjen e sekretit shtetëror dhe përkrahjen e autorit të krimit. Kjo e fundit, sipas të dhënave hetimore, është arritur në konkluzionin se ajo ka vënë në funksion të Agasit të gjithë infrastrukturën gjatë kohës që Agasi ishte në arrati. Kur ka pasur lëvizje policia, e ka informuar. Ka komunikime direkte me Ergys Agasin.
Nxjerrja e sekretit shtetëror është një nga skandalet më të rënda të institucioneve në rajon. Nuk ka pasur asnjëherë dyshime të shefit të Shërbimit Informativ të Shtetit me shtetin. Rezulton se i ka vënë në dispozicion të dhëna që i ka siguruar si drejtoreshë e SHISH-it. E dyta ka të bëjë edhe me informacione që lidhen me funksionin. Unë dyshoj se bëhet fjalë për të dhëna që lidhen me rivalë të Agasit, personazhe politike. Kur është arrestuar Ergys Agasi është sekuestruart një hard disk, ku janë siguruatr të dhëna që ka nxjerrë dhe komunikimet me Vlora Hysenin”, tha Lala./Mxh
