Kremlini deklaroi se rreth 5,000 trupa ukrainase janë të bllokuara në brigun lindor të lumit Oskil, në rajonin e Kharkivit në Ukrainën lindore. Reuters nuk mundi ta verifikonte në mënyrë të pavarur këtë pretendim, dhe nga pala ukrainase nuk pati reagim të menjëhershëm.
Rusia ka njoftuar se ka marrë kontrollin e qytetit të madh Kupiansk, i cili shtrihet përgjatë lumit Oskil, por Ukraina mohon se ai ka rënë.
Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se përparimi i Rusisë në fushëbetejë duhet ta bindë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy të hyjë në negociata sa më shpejt. Ai rikujtoi edhe deklaratat e presidentit Vladimir Putin, i cili, pasi u informua nga shefi i shtabit të përgjithshëm Valery Gerasimov se trupat ukrainase të rrethuara nuk kishin marrë udhëzime për dorëzim, akuzoi Kievin se nuk po mendon për fatin e ushtarëve të vet.
Putin gjithashtu u shpreh se një skandal i madh korrupsioni në Ukrainë tregonte se vendi nuk drejtohej më nga një udhëheqje politike, por nga një “sindikatë e krimit të organizuar.”/mxh
