Qeveria e presidentit të Kilit, Jose Antonio Kast, do të paraqesë në parlament një projektligj që synon ashpërsimin e dënimeve për të miturit e moshës 16 vjeç e lart të përfshirë në krime të rënda.
Lajmi u bë i ditur nga ministri i Sigurisë, Martin Arau. Aktualisht, në Kili adoleshentët mbajnë përgjegjësi penale që nga mosha 14-vjeçare, por dënimet e dhëna nga gjykatat për të mitur janë më të lehta krahasuar me ato që zbatohen për të rriturit.
Nisma vjen pas vrasjes së një djali 12-vjeçar gjatë një grabitjeje që kishte në shënjestër familjen e tij, ku dyshohet se ishin të përfshirë edhe adoleshentë. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe ka rikthyer në vëmendje një projektligj të ngjashëm, i cili kishte mbetur pezull që nga viti 2022.
Sipas ministrit Arau, ndryshimet parashikojnë që adoleshentët 16 vjeç e lart, të akuzuar për vepra të rënda si vrasja, zjarrvënia, përdhunimi apo krime të tjera të rënda, të gjykohen sipas të njëjtave rregulla si të rriturit.
Qeveria nuk ka bërë ende të ditur datën e paraqitjes së projektligjit, por synon ta kalojë atë me procedurë urgjente, duke u dhënë dy dhomave të parlamentit vetëm gjashtë ditë për ta miratuar ose rrëzuar.
Ndërkohë, një debat i ngjashëm po zhvillohet edhe në Brazil, ku parlamenti po shqyrton ndryshime kushtetuese që do të ulnin moshën e përgjegjësisë penale nga 18 në 16 vjeç./ad
