Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mori pjesë në ceremonitë e hapjes së disa hoteleve në një zonë turistike të vendit, duke u shfaqur së bashku me të bijën, Ju Ae, ndërsa synonte të nxirrte në pah progresin ekonomik para kongresit të ardhshëm të partisë që pritet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.
Sipas mediave shtetërore KCNA, pesë hotele u hapën gjatë ditëve të shtunë dhe të dielë në zonën turistike Samjiyon, në pjesën verilindore të gadishullit korean, afër kufirit me Kinën. Fotot zyrtare tregojnë Kim Jong Un duke vizituar hotelet luksoze së bashku me të bijën.

Analistët vlerësojnë se vajza adoleshente e liderit mund të jetë kandidate kryesore për të marrë udhëheqjen e vendit në të ardhmen. Kim tha se këto hotele janë “dëshmi e qartë e ngritjes së statusit të popullit dhe e potencialit të zhvillimit të vendit,” sipas KCNA./kb
