Moderatori i Late Night, Jimmy Kimmel, vetëm pak ditë përpara incidentit në Darkën e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, e quajti Melania Trump “një vejushë në pritje”. Ndërsa Donald dhe Melania Trump kërkuan menjëherë pushimin e tij nga puna. Por marrëdhëniet e kreut të Shtëpisë së Bardhë me median kanë qenë problematike prej vitesh. Trump ka akuzuar vazhdimisht disa media për publikimin e lajmeve të rreme, ndërsa disa gazetarë i ka cilësuar si armiq të popullit.
“Zonja jonë e Parë, Melania, është këtu. Shikojeni Melanian, kaq e bukur. Zonja Trump, shkëlqeni si vejushë e ardhshme.”
Pas skeçit, vetë Melania Trump e akuzoi Kimmel përmes një postimi në platformën X për përdorimin e “gjuhës së urrejtjes dhe dhunës.”
“Retorika e mbushur me urrejtje dhe dhunë e Kimmelit synon të përçajë vendin tonë. Monologu i tij për familjen time nuk është humor, fjalët e tij janë të dëmshme dhe thellojnë sëmundjen politike në Amerikë”.
Debati u ndez pas fjalëve të Kimmel. Presidenti Donald Trump kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Jimmy Kimmel nga ABC dhe Disney, duke shkaktuar reagime të ashpra.
“Jimmy Kimmel, i cili nuk është aspak qesharak, siç e tregojnë edhe shikueshmëritë e dobëta të emisionit të tij, bëri një deklaratë tronditëse. Zonja e Parë Melania është këtu. Shikojeni sa e bukur është. Zonja Trump, ju rrezatoni si një vejushë e ardhshme. Shumë njerëz janë të indinjuar nga thirrja e turpshme e Kimmel për dhunë. Kjo shkon përtej çdo kufiri. Jimmy Kimmel duhet të shkarkohet menjëherë nga Disney dhe ABC”.
Përplasjet vazhduan ndërkohë që moderatori Jimmy Kimmel reagoi sërish pas kritikave të presidentit Donald Trump për shakanë e tij kundrejt Melanias. Reagimi i Kimmel erdhi pas të shtënave në një darkë të presidentit me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë në hotelin Washington Hilton, ku një 31-vjeçar i identifikuar si Cole Thomas Allen hapi zjarr pranë një pike kontrolli sigurie, duke shkaktuar panik dhe ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit. Ai u arrestua në vendngjarje.
“Shakaja ishte një thumb shumë i lehtë për faktin që Presidenti Trump është pothuajse 80 vjeç dhe ajo është më e re se unë. Nuk ishte në asnjë mënyrë një thirrje për atentat dhe ata e dinë këtë. Unë kam qenë shumë i zëshëm për shumë vite duke folur kundër dhunës me armë. Jam dakord që retorika e urrejtjes dhe e dhunës është diçka që duhet ta refuzojmë. Mendoj se vendi nga duhet t’ia nisni për këtë është të bisedoni me bashkëshortin tuaj”.
Ky nuk është rasti i parë që moderatori përballet me kritika për deklaratat e tij, pasi më herët ai është përballur edhe me pezullime të përkohshme për komente të diskutueshme, përpara se të rikthehej sërish në ekran. Komenti i fundit i moderatorit u referohet akteve të Trump për të cilat pakënaqësia është e madhe në SHBA, si lufta në Iran, dëbimi i emigrantëve apo sulmet ndaj Papës.
Më herët, më 18 shtator 2025, emisioni i famshëm Jimmy Kimmel Live u pezullua pa afat nga ABC pas komenteve që Kimmel bëri në shfaqjen e asaj dite në përgjigje të atentatit me armë zjarri kundër aktivistit konservator Charlie Kirk.
“Banda MAGA me dëshpërim po tenton ta paraqesë Tyler Robinson, që e vrau Charlie Kirkun, si diçka tjetër e jo si njërin prej tyre, dhe po bën gjithçka për të fituar pikë politike nga kjo ngjarje”.
Presidenti Donald Trump e quajti pezullimin e Kimmel “lajm të shkëlqyer për Amerikën” dhe përgëzoi ABC-në për “guximin” e tyre, duke e cilësuar Jimmy dhe Seth si “dy humbës madhorë në Fake News.”
Por përplasjet e presidentit amerikan me mediat janë një luftë e vazhdueshme. Zanafilla nisi me kërcënimin për padi ndaj BBC-së në nëntor 2025, duke kërkuar 1 miliard dollarë dëmshpërblim, mes një krize të thellë në transmetuesin publik britanik, i cili u trondit nga dorëheqjet e drejtuesve të lartë dhe akuzat për paragjykime politike.
BBC kishte ndërhyrë në fjalimin e 6 janarit të presidentit amerikan, Donald Trump, duke shkaktuar polemika. Në fjalën e tij drejtuar mbështetësve më 6 janar 2021, Trump tha se njerëzit duhet të marshojnë drejt Kapitolit për të “bërë që zëri i tyre të dëgjohet në mënyrë paqësore dhe patriotike.” Por në një transmetim të emisionit Panorama të BBC para zgjedhjeve të vitit 2024, fjalimi u ritransmetua i cunguar, duke bërë të dukej sikur presidenti Trump kishte nxitur sulmin në Kapitol.
Presidenti i SHBA-së ka akuzuar vazhdimisht disa media për publikimin e lajmeve të rreme, ndërsa disa gazetarë i ka cilësuar si armiq të popullit, duke shtuar kështu presionin mbi median./mxh
