I pamundur për të mos u vënë re ishte tensioni në ajër kur MC Kresha u ul së fundmi në studion e “Goca dhe Gra”.
Në letër, gjithçka dukej standarde: reperi foli për projektet, muzikën, frymëzimet, territor i njohur dhe komod për të. Por ajo që nuk mund të injorohej, ishte një lloj sikleti që rrinte pezull, kryesisht mes tij dhe Rozana Radit.
Krahas MC Kreshës, Rozana bëri diçka që televizionit (por as asaj) zakonisht nuk i pëlqen: zgjodhi heshtjen. Ajo shmangu kontaktin me sy me Kreshën pothuajse gjatë gjithë kohës, ndërsa kameramani, paksa i pamëshirshëm, e kapte herë pas here në plane të afërta: serioze, e përmbajtur, ndonjë buzëqeshje e lehtë që dukej më shumë si siklet a nënqeshje.
Dhe pastaj erdhi pyetja finale nga Rudina Dembacaj: a ishte kjo hera e parë që MC Kresha ndodhej në një studio me Rozanën? Pauzë. Shikime që shmangen. Një “jo” e thjeshtë që doli nga reperi.
Në fund të emisionit, Rozana vendosi të flasë për këtë takim, me artikulimin e saj të përhershëm:
“Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them, e respektoj për artistin që është. Preferova më tepër ta dëgjoja sesa të flas, duke respektuar partnerët reciprokë… Në këtë studio nuk i zgjedh unë të ftuarit. Për mua vazhdon të mbetet një artist shumë i mirë…”
Për ata që kanë kujtesë të mirë (ose YouTube), kjo nuk është një përballje rastësore televizive. MC Kresha dhe Rozana Radi kanë ndarë një kapitull romantik dikur, një histori që zgjati rreth një vit dhe u mbyll në vitin 2012. Madje, bashkë kanë edhe një bashkëpunim artistik, këngën “Jaba Daba Du”, me të cilën konkurruan në Kënga Magjike 2011. /mxh
