Last Updated on 16/09/2025 by adminfjala
Kina ka zëvendësuar Gjermaninë në listën e 10 vendeve më inovative në botë, sipas Indeksit Global të Inovacionit (GII) të publikuar nga Organizata Botërore e Pronës Intelektuale (WIPO).
Zvicra ruan pozicionin e parë në renditje për të 13-in vit radhazi, e ndjekur nga Suedia dhe Shtetet e Bashkuara.
Pas tyre renditen Koreja e Jugut, Singapori, Mbretëria e Bashkuar, Finlanda, Holanda, Danimarka dhe Kina në vendin e dhjetë ndërsa Gjermania ka rënë në vendin e 11-të, duke humbur dy pozicione nga viti i kaluar.
Në Europën Perëndimore, Franca renditet në vendin e 13-të, Irlanda në të 18-tin, Italia në të 28-tin, Spanja në të 29-tin dhe Portugalia në të 31-tin.
Raporti i WIPO, i bazuar në të dhënat e vitit 2024 dhe që përfshin 139 ekonomi, mat performancën përmes 78 treguesve të ndryshëm të inovacionit.
Kina, India, Turqia dhe Vietnami shfaqen si ekonomitë me të ardhura mesatare që po përparojnë me ritme të shpejta në fushën e inovacionit.
Kina kryeson globalisht për aplikimet për patente në fushën e inteligjencës artificiale gjenerative, ndërsa Mbretëria e Bashkuar prin në Europë.
Ndërkohë, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara kanë shënuar rënie në numrin e aplikimeve ndërkombëtare për patente, një tregues kyç i kapacitetit inovativ.
Raporti thekson gjithashtu zhvillimet pozitive në teknologjitë e pastra, ku superkompjuterët e gjelbër po vendosin rekorde të reja efikasiteti dhe çmimet e baterive janë në rënie.
Sektori i automjeteve elektrike, teknologjisë 5G dhe robotikës po përparon globalisht, ndonëse në mënyrë të pabarabartë mes rajoneve.
Megjithëse progresi teknologjik mbetet i qëndrueshëm në shumicën e fushave, raporti vëren një ngadalësim në fushën e miratimit të barnave të reja./E.T
