Kina ka kritikuar sot legjislacionin e ri amerikan për sanksionet ndaj Rusisë, i cili mund të ketë ndikim të rëndësishëm edhe te Pekini, një nga blerësit kryesorë të energjisë ruse.
Ligji, i miratuar tashmë nga të dyja dhomat e Kongresit amerikan, pritet t’i dërgohet presidentit Donald Trump për nënshkrim.
Ai i jep presidentit autoritetin të vendosë tarifa deri në 100% ndaj vendeve që blejnë sasi të mëdha nafte dhe gazi nga Rusia.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, tha se Kina mban “marrëdhënie normale ekonomike dhe tregtare me të gjitha vendet e botës mbi bazën e barazisë dhe përfitimit të ndërsjellë”.
Sipas tij, bashkëpunimi ekonomik i Kinës me vendet e tjera nuk drejtohet kundër ndonjë pale të tretë dhe këto vende nuk duhet të ndërhyjnë apo të ushtrojnë presion mbi të.
Pekini kundërshton gjithashtu zbatimin jashtë territorit të ligjeve amerikane, veçanërisht kur, sipas tij, këto masa nuk kanë bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe nuk janë autorizuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Ligji synon të kufizojë aftësinë e Rusisë për të financuar luftën kundër Ukrainës.
Përveç sanksioneve të drejtpërdrejta ndaj zyrtarëve dhe kompanive ruse, ai parashikon masa kundër eksporteve ruse të naftës dhe gazit.
Presidenti Trump mund të vendosë tarifa deri në 100% ndaj importeve nga vendet që renditen ndër pesë blerësit më të mëdhenj të naftës bruto ose gazit natyror rus dhe vazhdojnë këto blerje./mxh
