Kina mund të rikthehet si ndërmjetëse për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Presidenti rus Vladimir Putin ka propozuar një takim trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump dhe atë kinez Xi Jinping, që mund të zhvillohet më 18-19 nëntor në Shenzhen, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC).
Trump ka shprehur interes për këtë ide, duke sugjeruar që në takim të diskutohet edhe për uljen e rrezikut të një konflikti bërthamor. Megjithatë, propozimi ngre pikëpyetje, pasi në bisedime nuk parashikohet pjesëmarrja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, megjithëse do të diskutohet për të ardhmen e vendit të tij.
Xi Jinping nuk ka reaguar publikisht ndaj propozimit. Për Kinën, organizimi i një takimi të tillë do të ishte një mundësi për të forcuar rolin e saj si ndërmjetëse në çështjet ndërkombëtare. Por një marrëveshje e arritur vetëm nga tre fuqitë e mëdha mund të shkaktonte shqetësime në Ukrainë, Evropë dhe Tajvan.
Përjashtimi i Bashkimit Evropian nga negociatat mund të dëmtonte më tej marrëdhëniet mes Pekinit dhe Brukselit, ndërsa një marrëveshje pa pjesëmarrjen e Kievit do të ishte e vështirë të zbatohej në terren.
Ndërkohë, Xi Jinping është përqendruar edhe te sfidat e brendshme të Kinës. Në një fjalim me rastin e 90-vjetorit të përfundimit të Marshimit të Gjatë, ai theksoi nevojën për përmirësimin e cilësisë së rritjes ekonomike dhe përmbushjen e nevojave të qytetarëve.
Ekonomia kineze u rrit me 4,5% në tremujorin e tretë, në përputhje me objektivin vjetor prej 4,5-5%. Megjithatë, vendi vazhdon të përballet me probleme, si rënia e vlerës së banesave, vështirësitë në tregun e punës dhe mundësitë e kufizuara për të rinjtë e diplomuar. Ndërsa eksportet mbeten motori kryesor i ekonomisë, konsumi i brendshëm vazhdon të jetë më i ulët nga sa synojnë autoritetet.
Një tjetër çështje e rëndësishme në fjalimin e Xi ishte kontrolli i Partisë Komuniste mbi ushtrinë. Presidenti theksoi se ky kontroll duhet të mbetet i plotë, në një kohë kur disa gjeneralë të lartë janë larguar nga detyra dhe janë përballur me akuza për korrupsion dhe mungesë besnikërie politike.
Xi vlerësoi gjithashtu rolin e Mao Ce Dunit në Marshimin e Gjatë, gjatë të cilit Ushtria e Kuqe përshkoi më shumë se 12 mijë kilometra mes viteve 1934 dhe 1936. Ai u bëri thirrje anëtarëve të partisë të ruajnë besnikërinë dhe të vazhdojnë rrugën drejt objektivit të vitit 2049, kur Kina do të synojë të jetë një vend socialist modern dhe i zhvilluar në të gjitha drejtimet./mxh