Simon Tisdall*
Ora e Kiametit po tik-takon gjithnjë e më fort, ndërsa mekanizmat e kontrollit të armëve po dështojnë dhe udhëheqësit po sillen gjithnjë e më të pamatur. Koha për t’u alarmuar është tani.
Kthesa e kujdesshme e Keir Starmerit drejt Fronit të Dragoit është pritur mirë në Pekin, por jo në “Trump-land”. Kjo ndodh pjesërisht sepse, si shumë liderë perëndimorë në nevojë, kryeministri britanik shmangu temat e pakëndshme si shkeljet e të drejtave të njeriut, skandali Jimmy Lai, spiunazhi dhe Tajvani. Por në bisedimet me presidentin Xi Jinping, një çështje jetike u shmang krejtësisht – dhe nuk duhej shmangur: ndërtimi i rrezikshëm, i pashpjeguar, sekret dhe i përshpejtuar i arsenalit bërthamor të Kinës.
Më shumë se kriza klimatike, uria globale, militarizmi prusian i “Kaiser” Trumpit dhe kërcënimi gjithnjë i pranishëm i pandemive, përhapja e pakontrolluar e armëve të shkatërrimit në masë është kërcënimi më i menjëhershëm dhe ekzistencial për njerëzimin. Javën e kaluar, Ora e Kiametit u zhvendos në 85 sekonda para mesnatës – më afër Armagedonit se kurrë më parë. “Rreziqet bërthamore dhe të tjera globale po përshkallëzohen me shpejtësi dhe në mënyra të paprecedenta”, paralajmëroi Buletini i Shkencëtarëve Atomikë.
Diplomacia e çarmatimit bërthamor është në ngërç global. Konsensusi për veprim të përbashkët në të ardhmen pritet sërish të dështojë në konferencën e rishikimit të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), që mbahet në prill në Nju Jork. Të enjten skadon New Start, traktati i fundit i mbetur që kufizon forcat strategjike bërthamore të SHBA-së dhe Rusisë. Ndërkohë, një garë ndërkombëtare e frikshme armatimi bërthamor po zhvillohet pa asnjë kontroll, siç detajohet në raportin e vitit 2025 të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (Sipri).
Pothuajse të nëntë shtetet me armë bërthamore – SHBA, Rusia, Kina, Franca, Britania e Madhe, India, Pakistani, Koreja e Veriut dhe Izraeli – po ndjekin “programe intensive modernizimi bërthamor”, raporton Sipri, përfshirë armë të reja si raketat hipersonike dhe bomba taktike me fuqi të ulët, të ashtuquajtura “të përdorshme”. Testimet bërthamore mund të rifillojnë së shpejti. “Nga inventari global prej rreth 12.241 koka bërthamore në janar 2025, rreth 9.614 ndodheshin në depo ushtarake për përdorim të mundshëm”, thuhet në raport. Prej tyre, rreth 90% i përkasin SHBA-së dhe Rusisë.
Me rreth 600 koka bërthamore, Kina është ende pas – por po afrohet me shpejtësi. “Arsenali bërthamor i Kinës po rritet më shpejt se i çdo vendi tjetër, me rreth 100 koka të reja në vit që nga 2023… [Ajo] mund të ketë potencialisht po aq raketa balistike ndërkontinentale (ICBM) sa Rusia ose SHBA deri në fund të dekadës”, llogarit Sipri. Pekini nuk jep asnjë shpjegim apo arsyetim për këtë rritje dramatike – dhe refuzon bisedimet shumëpalëshe për kontrollin e armëve.
Një dokument zyrtar, i publikuar nga Kina në nëntor, riafirmoi qëndrimin e saj se vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore duhet të hedhin hapin e parë, duke bërë “reduktime drastike dhe thelbësore” në mënyrë të njëanshme. Deri atëherë, thuhet në dokument, Kina do t’i mbajë aftësitë e saj bërthamore “në nivelin minimal të nevojshëm për sigurinë kombëtare”. Dokumenti, me leverdi, nuk specifikon se cili është ky nivel.
Kritika e Kinës se SHBA dhe të tjerët po injorojnë angazhimin e tyre sipas NPT-së për çarmatim është e saktë, edhe pse hipokrite. Ajo ka më shumë bazë kur kundërshton planin e Donald Trumpit për një mburojë raketore shumë-shtresore, të lidhur me Groenlandën, të quajtur Golden Dome, e cila, nëse realizohet ndonjëherë, mund të prishë në mënyrë të rrezikshme ekuilibrin e frikës.
Pavarësisht avantazheve aktuale, SHBA është e shqetësuar. Pentagoni paralajmëroi në dhjetor se “ndërtimi historik ushtarak i Kinës e ka bërë territorin amerikan gjithnjë e më të cenueshëm”. Ai theksoi një qëndrim bërthamor më të gatshëm për sulm, “me gisht në këmbëz”, dhe pretendoi se rreth 100 ICBM ishin instaluar së fundmi në silosë në Kinën veriore. Gjithashtu, u tha se Pekini po teston aftësinë e tij “për të goditur forcat amerikane në Paqësor”, duke rrezikuar seriozisht ndihmën e ardhshme ushtarake amerikane për Tajvanin. “Kina pret të jetë në gjendje të luftojë dhe të fitojë një luftë për Tajvanin deri në fund të vitit 2027”, thuhet në deklaratën e Pentagonit.
Çfarë po synon Xi? Shtysa e Kinës drejt armëve bërthamore mund të jetë thjesht çështje statusi. Ndoshta Xi dëshiron të barazohet (ose të tejkalojë) SHBA-në dhe Rusinë. Ndoshta ai ka frikë reale nga një sulm. Ai i tha Starmerit se fuqitë “e shfrenuara”, me këtë nënkuptuar Trumpin, po ndjekin “ligjin e xhunglës”. Ose ndoshta, duke menduar për trashëgiminë e tij, Xi beson se demonstrimi i forcës bërthamore – ose diçka më e keqe – mund ta ndihmojë të pushtojë Tajvanin dhe të përmbushë ambicien për ta bërë Kinën superfuqinë udhëheqëse botërore.
Xi ka fituar një pushtet thuajse perandorak pas 13 vitesh në krye. Por ai është gjithashtu një politikan i pasigurt, i gabueshëm dhe jo veçanërisht imagjinativ, i ekspozuar ndaj trendeve dhe presioneve globale. Nga njëra anë, ai sheh SHBA-në e Trumpit duke modernizuar armët bërthamore, duke shkatërruar marrëveshje kyçe të kontrollit të armëve, si traktati i vitit 1987 për forcat bërthamore me rreze të mesme, dhe duke sulmuar sipas qejfit Iranin jo-bërthamor dhe Venezuelën. Nga ana tjetër, ai sheh një aleat dhe diktator të ngjashëm, Vladimir Putinin e Rusisë, që kërcënon Perëndimin me luftë bërthamore ndërsa përpiqet të pushtojë në mënyrë të paligjshme Ukrainën. Është e vështirë të mos tundohesh nga ky shembull.
Shqetësuese është edhe dyshimi se, pavarësisht pamjes së jashtme, Xi mund të mos ketë kontroll të plotë mbi forcat e armatosura kineze. Shkarkimi i bujshëm javën e kaluar i gjeneralit Zhang Youxia, i dyti pas tij në hierarkinë ushtarake, mbetet një mister. Zhang, një veteran i ashpër, akuzohet se ka qenë i pabesë ndaj shefit të tij më pak të kalitur në luftë – dhe se ka rrjedhur sekrete bërthamore te SHBA.
A është e mundur që dy burrat të kenë pasur mosmarrëveshje mbi politikat agresive të Xi-t për armët bërthamore dhe Tajvanin? Xi ka spastruar më parë komandantë të forcave raketore, por duket se ende po përpiqet t’i vërë gjeneralët në rresht. Si në një jehonë të Luftës së Ftohtë, rikthehet pyetja shqetësuese e Dr. Strangelove-it: kush e ka gishtin mbi buton?
Çfarëdo që po mendon presidenti kinez, këto janë kohë alarmante për këdo që shqetësohet për një luftë termobërthamore globale – dhe kjo duhet të jetë të gjithë. Thuhet se bisedimet e Starmerit me Xi-në përfshinë kërcënime kineze ndaj sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar. Çfarë kërcënimi më të madh ka se përhapja e armëve bërthamore? E megjithatë, nga sa dihet, ai nuk e ngriti këtë çështje.
Heshtja e Starmerit nuk është befasuese. Nën udhëheqjen e tij, edhe Britania po zgjeron forcën e saj goditëse bërthamore, duke blerë avionë luftarakë amerikanë F-35A të aftë për armë bërthamore. Po ashtu, raportohet se po lejon SHBA-në të depozitojë bomba bërthamore në bazën RAF Lakenheath për herë të parë pas 20 vitesh. Britania nuk është në pozitë të kritikojë. Përkundrazi, mesazhi i pashprehur ndaj Xi-t është i ftohtë dhe i qartë: bombat të fluturojnë!
*Simon Tisdall është komentator i çështjeve të jashtme në “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi
