Banorët e fshatit Luzi kanë dalë sërish në protestë për të kërkuar përmirësimin e rrugës së lagjes, e cila sipas tyre është e dëmtuar dhe e pasigurt. Protesta ka shkaktuar bllokimin e rrugëve hyrëse dhe devijimin e trafikut drejt Fushë-Krujës.
Në mbështetje të banorëve ka qenë edhe gazetari dhe aktivisti Aulon Kalaja, i cili ka theksuar se rruga ka rëndësi jetike për fëmijët që shkojnë në shkollë, për transportin e biznesve dhe kalimin e kamionëve.
Ai i ka bërë thirrje Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) të vizitojë vendin dhe të japë informacion mbi fondet për asfaltimin e rrugës.
Banorët kërkojnë asfaltimin e rrugës me standarde europiane, duke paralajmëruar se protesta mund të përshkallëzohet nëse nuk ka përgjigje konkrete nga autoritetet.
“Edhe sot jemi me banorët e Luzit. Kanë dalë për të drejtën e tyre legjitime për rrugën. Edhe javën e kaluar kanë bërë paralajmërime që do bllokohet rruga, edhe sot e kanë bllokuar rrugën, sepse janë në të drejtën e tyre. Kjo është një protestë jo politike, është një protestë vetëm për të drejtat e tyre qytetare. Kemi parë që në gjithë Shqipërinë po bllokohet rruga, po bien masiv dheu, ndërkohë këtu është një problem tjetër. Para 15 vjetësh këta burra edhe ca të tjerë që s’janë më në jetë, kanë dalë këtu me e blloku rrugën që ky aks mos të bëhej, sepse është rrugë lagje, kjo është rrugë fshati. Luzi ja dha këtë rrugë qytetit të Fushë-Krujës, qytetit të Krujës, po edhe të gjithë Shqipërisë. E bëri këtë sakrificë dhe ja dha rrugën dhe ta lësh Luzin në këtë lloj forme është krim. Prandaj është e drejta e këtyre banorëve jo vetëm për të dalë në protestë, por për të bërë dhe akte të tjera edhe më të dhunshme, sepse këtu duhet t’i përgjigje.
Prandaj i bëj thirrje nga Luzi, ARRSH-së, Autoritetit Rrugor Shqiptar, se e dimë se në çfarë skandalesh është përfshirë kohët e fundit. Të vijë këtu ai drejtori edhe të shoh rrugën. Në rast se kalon makina e atij këtu, atëherë t’ju thotë Luzjanëve që të kalojnë edhe makinat e këtyre. Se janë bërë makinat çdo ditë për servis. Të gjithë bizneset që janë në këtë zonë janë totalisht të rrënuara, të dështuara. Kalamajtë kalojnë këtu përditë për me shku te shkolla edhe janë kamionat që rrezikojnë jetën. Nuk bëjnë dot një mbikalim hekuri nga këtu për ta nxjerrë direkt te shkolla. Këto janë kërkesa të cilat janë legjitime për këta njerëz. Çfarë po kërkojnë? Po kërkojnë luks që tua shtrojnë me flori? Jo mor vëlla, duan asfalt edhe asfalt cilësor. Jo të vijnë këtu dhe të hedhin çakull e granil, që me shiun e radhës e merr lumi edhe bie poshtë.
E njëjta situatë është edhe te Luzi tjetër, te Luzi poshtë. Është rruga e cila është skandaloze. Prandaj u rregullua çështja e ujit atje se e kanë hapur rrugën edhe nuk e kanë mbyllur dot. Pra, as aty nuk hedhin dot asfalt. Duhet asfalt i trashë, duhet asfalt me standartet europiane sepse këtu kalojnë kamionat dhe është një rrugë që do prishet. Prandaj, ARRSH-ja duhet të vijë këtu. Ne do bëjmë një shkresë, se kemi rënë dakord bashkë me banorët. Do firmosin banorët, do kërkojmë informacion se ku çaloi kjo pjesë. A është miratuar fondi për rrugën e Luzit apo jo? Në rast se nuk është miratuar, a do miratohet dhe kur do miratohet? Se nuk do vazhdojë pafund.
Banorët kanë ndërmend me e përshkallëzuar protestën. Policia sot ka bllokuar rrugën, hyrjen e fshatit Luz djathtas edhe këtej nga ana e autostradës dhe e ka devijuar trafikun, dhe ta kuptojë qyteti i Fushë-Krujës që nuk ka prurë sot përfaqësues këtu, ta kuptojë se çfarë është trafiku i Luzit. Se kanë hyrë kamionat në Fushë-Krujë sot.
Sot i ke kamionat në Fushë-Krujë. Edhe është bërë super trafik. Mirë që është trafiku i mëngjesit që shkojnë nëpër punë njerëzit dhe nëpër shkolla, po kanë çuar të gjithë të gjithë kamionat për Fushë-Krujë. I bëj thirrje dhe biznesit të madh që të futet në bisedime me bashkinë edhe të gjejë një zgjidhje. Se mund të gjendet një zgjidhje tjetër, që ta shtrojnë këto fabrikat që veprojnë këtu, që ja morën shpirtin këtyre.
Shtroni rrugën, nuk dalin në protesta, vazhdojnë punët e veta. Edhe ne kemi punë të tjera. Prandaj na kanë detyruar këtu me dalë. I bëjmë thirrje ARSH-së edhe një herë tjetër”, tha Kalaja./K.M
