Diplomati i lartë kinez, Wang Yi, i bëri thirrje homologut të tij izraelit që të ndihmojë në ndalimin e menjëhershëm të luftës në Iran gjatë një bisede telefonike këtë të martë, 3 mars.
Biseda erdhi 3 ditë pas sulmit nga SHBA-të dhe Izraeli ndaj Teheranit, ku u vra lideri suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, bashkë me bashkëshorten dhe zyrtarë të lartë iranianë. Kjo është pasuar me sulmet hakmarrëse nga ana e Iranit.
Wang i tha ministrit të Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, se “Kina kundërshton çdo sulm ushtarak të Izraelit dhe SHBA-ve ndaj Iranit”.“Forca ushtarake nuk mund të zgjidhë problemet”, ka thënë ai, duke shtuar se ndalimi i menjëhershëm i operacioneve ushtarake është i nevojshëm për të parandaluar përshkallëzimin dhe humbjen e kontrollit mbi konfliktin.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump tha se dy valët e sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit kanë vrarë figura që ai i konsideronte udhëheqës potencialë pas luftës.
“Shumica e njerëzve që kishim në mendje janë të vdekur”, tha Trump.
Kina ka ruajtur historikisht një vijë të ndjeshme në politikën e saj për Lindjen e Mesme, duke mbajtur lidhje të ngushta me Iranin dhe vendet arabe për të siguruar energjinë dhe për të nxitur eksportet kineze, edhe pse ka bashkëpunuar në teknologji me Izraelin. Marrëdhëniet me Izraelin u tensionuan pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023 dhe përgjigjes së fuqishme izraelite, ndërsa Kina përpiqej të pozicionohej si mbrojtëse e paqes për vendet e Botës së Tretë.
Biseda e Wang me Sa’ar është pjesë e një serie takimesh të ngjashme me ministrat e jashtëm të Rusisë, Iranit, Francës dhe Omanit, në përpjekje për të nxitur dialogun politik. Zëdhënësja kineze Mao Ning theksoi:
Së pari, ndaloni menjëherë operacionet ushtarake! Së dyti, kthehuni në dialog dhe negociata sa më shpejt, e së treti, kundërshtoni veprimet e njëanshme.
Përveç kësaj, Wang kërkoi nga Izraeli të marrë masa konkrete për të siguruar sigurinë e personelit dhe institucioneve kineze, ndërsa Sa’ar konfirmoi se Izraeli i kushton rëndësi mbrojtjes së tyre.
Kina ka luajtur vazhdimisht një rol konstruktiv në promovimin e uljes së tensioneve, duke mbajtur qëndrim “të drejtë dhe të paanshëm” për çështjet e Lindjes së Mesme. Megjithatë, Kina është gjithashtu e interesuar në kontrata të mëdha infrastrukturore për rindërtimin e Gazës, ku Izraeli dhe administrata Trump do të kenë ndikim të fortë. Sipas OKB-së, 83% e ndërtesave në Rripin e Gazës janë dëmtuar, dhe rindërtimi i plotë pritet të kushtojë rreth 70 miliardë dollarë./mxh
