Rregullatori i hapësirës kibernetike të Kinës publikoi këtë të premte rregullore të reja për të mbikëqyrur zhvillimin online të “njerëzve digjitalë”, duke kërkuar etiketim të qartë dhe duke ndaluar shërbime që mund të mashtrojnë fëmijët ose të nxisin varësi.
Sipas rregullave të propozuara nga Administrata e Hapësirës Kibernetike të Kinës, çdo përmbajtje me “njerëz digjitalë” duhet të mbajë etiketa të dukshme dhe ndalohet ofrimi i “marrëdhënieve virtuale intime” për personat nën 18 vjeç.
Rregulloret gjithashtu ndalojnë përdorimin e informacionit personal të të tjerëve për të krijuar njerëz digjitalë pa pëlqimin e tyre, ose përdorimin e tyre për të anashkaluar sistemet e verifikimit të identitetit, duke reflektuar përpjekjet e Pekinit për të ruajtur kontrollin përballë avancimeve në inteligjencën artificiale.
Reuters shkruan se njerëzit digjitalë ndalohen gjithashtu të shpërndajnë përmbajtje që rrezikojnë sigurinë kombëtare, nxisin përmbysjen e pushtetit shtetëror, promovojnë shkëputjen ose minojnë unitetin kombëtar.
Dokumenti këshillon ofruesit e shërbimeve të parandalojnë dhe të rezistojnë ndaj përmbajtjeve me nënkuptime seksuale, që paraqesin tmerr, mizori ose nxisin diskriminim mbi bazë etnie apo rajoni. Ofruesit inkurajohen gjithashtu të marrin masa të nevojshme për të ndërhyrë dhe për të ofruar ndihmë profesionale kur përdoruesit shfaqin prirje vetëvrasëse ose vetëdëmtuese.
Kina e ka bërë të qartë ambicien e saj për të adoptuar agresivisht IA-në në gjithë ekonominë, në planin e ri pesëvjeçar të publikuar muajin e kaluar. Kjo nxitje vjen paralelisht me forcimin e qeverisjes në industrinë në lulëzim, për të siguruar siguri dhe përshtatje me vlerat socialiste të vendit.
Rregullat e reja synojnë të mbushin boshllëkun e qeverisjes në sektorin e njerëzve digjitalë, duke vendosur kufij të qartë për zhvillimin e shëndetshëm të industrisë, sipas një analize të publikuar në faqen e rregullatorit.
“Qeverisja e njerëzve virtualë digjitalë nuk është më thjesht një çështje e normave të industrisë; përkundrazi, ajo është bërë një problem shkencor strategjik që ka të bëjë me sigurinë e hapësirës kibernetike, interesat publike dhe zhvillimin cilësor të ekonomisë digjitale,” thuhet në analizë./mxh
