Pak ditë përpara se Justin Bieber të ngjitet në skenën e Coachella, bashkëshortja e tij, Hailey Bieber, ka zbuluar një bashkëpunim të ri për brandin e saj të bukurisë, Rhode.
Më 5 prill, Hailey ndau në Instagram një video ku shfaqej duke bërë selfie me Justin, ndërsa postimi u shoqërua me njoftimin “Rhode x The Biebers. 13 prill”, duke ndezur menjëherë interesin e fansave.
Një ditë më pas, çifti publikoi edhe disa foto promovuese, ku prezantuan produktet e reja të këtij bashkëpunimi. Në qendër të koleksionit janë “sticker”-at kundër akneve (hydrocolloid pimple patches), të dizajnuara nga vetë Justin Bieber.
Përveç tyre, artisti ka kontribuar edhe në dy produkte të tjera: një trajtim për buzët me peptide me shije bananeje të karamelizuar dhe një produkt për zonën e syve “Eye Prep (Banana Peel)”. Të gjitha do të jenë në edicion të limituar dhe do të dalin në shitje më 13 prill.
Ndërkohë, Justin Bieber pritet të performojë në Coachella më 11 dhe 18 prill, si një nga emrat kryesorë të festivalit, përkrah artistëve të njohur si Sabrina Carpenter dhe Karol G.
Këngëtari ka ndarë gjithashtu me ndjekësit momente nga përgatitjet për performancën përmes platformës Twitch, duke ofruar një vështrim nga prapaskenat e punës me ekipin e tij.
Në disa prej këtyre videove, Bieber është shprehur hapur për sfidat personale dhe rrugëtimin e tij drejt ndryshimit. “Shpesh rritemi duke mësuar të mos i shprehim ndjenjat dhe të tregojmë vetëm forcë. Por të jesh i hapur është e frikshme,” u shpreh ai, duke shtuar se ndryshimi është i mundur dhe fillon nga vetja./mxh
