Mjegullimi dhe lagështia në xhama nuk janë gjithmonë normale – ato mund të tregojnë probleme serioze me izolimin dhe shpenzime më të larta energjie
Në pamje të parë duket e padëmshme, disa pika uji në xham, një pamje pak e mjegulluar përmes dritares apo ndjesia se “diçka nuk është si më parë”. Shumica e njerëzve këtë e lidhin me motin apo stinën. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë: pikërisht ky detaj i vogël mund të jetë sinjali i parë dhe më i rëndësishëm se është koha për të ndërruar dritaret.
Kondensimi në dritare, apo siç quhet shpesh “djersitja e xhamit”, ndodh kur ajri i ngrohtë dhe i lagësht brenda hapësirës bie në kontakt me sipërfaqen e ftohtë të xhamit. Në atë moment, avulli i ujit shndërrohet në pika uji.
Në disa raste kjo është normale, veçanërisht gjatë dimrit ose në ambiente me lagështi të lartë si banja dhe kuzhina. Megjithatë, ajo që pak njerëz e dinë është se vendi dhe shpeshtësia e kondensimit tregojnë gjendjen reale të dritareve tuaja.
Sinjali i parë: mjegullimi mes xhamave
Nëse vëreni se kondensimi nuk shfaqet vetëm nga jashtë apo nga brenda, por edhe mes shtresave të xhamit, kjo është shenjë e qartë e një problemi më serioz.
Kjo do të thotë se vulat izoluese janë dëmtuar dhe dritarja ka humbur funksionin kryesor – termoizolimin. Në këto raste, gazi izolues ndërmjet xhamave del jashtë, ndërsa lagështia hyn brenda, duke bërë që dritarja praktikisht të mos funksionojë më siç duhet.
Me fjalë të tjera, nuk është më vetëm problem estetik, por defekt funksional./et
