Mes ngërçit të ri në Ngushticën e Hormuzit dhe ndalimit të një anije iraniane nga ana e marinës së SHBA-së, tregjet globale të energjisë u trazuan sërish.
Nafta Brent, referencë ndërkombëtare për çmimet e naftës, u rrit me 7,3% duke arritur në 96,94 dollarë për fuçi. Katari paralajmëron se situata që po dëshmon bota sot me luhatjet e çmimeve të naftës, është vetëm maja e ajsbergut.
Ekonomia botërore sipas ministrit të tij të financave, Ali bin Ahmed Al Kuwari, mund të përballet me një tronditje akoma edhe më të thellë në muajt e ardhshëm, nëse në ngushticën e Hormuzit nuk rikthehet stabiliteti.
Ministri theksoi se ndikimi i plotë i konfliktit mund të ndihet brenda dy muajve të ardhshëm. Kriza sipas tij, rrezikon të përshkallëzohet nga rritja e çmimeve drejt mungesave serioze të energjisë dhe mallrave kritike, duke kërcënuar të prekë zinxhirët globalë të furnizimit dhe sektorë të rëndësishëm ekonomikë. Shumë prej flukseve detare mbeten të ndërprera, dhe ndërprerja e trafikut, sulmet ndaj anijeve dhe prezenca e forcave ushtarake krijojnë pasiguri mbi sigurinë e transportit detar. Al Kuwari theksoi gjithashtu se një e treta e tregtisë globale të plehrave kimikë kalon nëpër Hormuz, duke rritur rrezikun e një krize ushqimore.
Katari, që siguron rreth 30% të furnizimit global me helium paralajmëron se mungesat mund të godasin gjithashtu industritë e kujdesit shëndetësor dhe prodhimin e gjysmëpërçuesve.
