Moszbatimi vullnetar i vendimeve gjyqësore të formës së prerë ka sjellë rreth 60 milionë lekë efekt negativ në përdorimin e fondeve publike gjatë rasteve të konstatuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në 4 muajt e parë të vitit 2026.
Sipas KLSH-së, problematika lidhet me vendime që, edhe pasi institucionet kanë marrë njoftimin për vendimin e formës së prerë dhe ai është kthyer në titull ekzekutiv, nuk janë ekzekutuar vullnetarisht. Për zbatimin e tyre është kaluar më pas në urdhra ekzekutimi të lëshuar nga përmbarues privatë. KLSH e vlerëson efektin financiar të këtyre praktikave në 59.943 milionë lekë.
Shuma përbën rreth 57.5% të të gjithë menaxhimit joefektiv të konstatuar në fushën e shpenzimeve, i cili gjatë periudhës janar-prill 2026 arriti në 104.24 milionë lekë.

Pra, më shumë se gjysma e efekteve negative që KLSH ka lidhur me menaxhimin joefektiv të shpenzimeve vjen nga mënyra se si janë trajtuar vendimet gjyqësore pasi ato janë bërë të ekzekutueshme. KLSH e klasifikon këtë shumë si menaxhim joefektiv të fondeve dhe jo si “dëm ekonomik”.
Në total, gjatë katër muajve të parë, auditimet evidentuan 230.51 milionë lekë menaxhim joefektiv, nga të cilat 126.26 milionë lekë në fushën e të ardhurave dhe 104.24 milionë lekë në shpenzime. Bashkë me 84.38 milionë lekë dëm ekonomik, efektet negative financiare të evidentuara nga KLSH arrijnë në rreth 315 milionë lekë.
Të dhënat tregojnë se problematika me vendimet gjyqësore nuk qëndron te vetë detyrimi i krijuar nga vendimi i gjykatës, por te moszbatimi i tij vullnetar nga ana e institucioneve pasi është bërë i formës së prerë, çka ka sjellë kalimin e çështjeve në procedura ekzekutimi përmes përmbaruesve privatë.

Artikull i Ekofin.al
