Last Updated on 25/07/2025 by adminfjala
Drafti i Kodit të ri Penal, aktualisht në fazën e konsultimit publik, parashikon ndëshkime të ashpra për të gjithë ata që bashkëjetojnë me të mitur. Neni 745 i draftit e cilëson bashkëjetesën me të mitur për qëllime të ngjashme me martesën si vepër penale dhe sanksionon dënime të ndryshme, në varësi të moshës.
Sipas nenit, bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur nga mosha 14 deri nën 16 vjeç, dënohet me burgim nga 4 deri në 8 vjet. Nëse bashkëjetesa ndodh me një të mitur 16 deri në 18 vjeç, dënimi është nga 2 deri në 5 vjet.
Për rastet më të rënda, kur bashkëjetesa ndodh me një të mitur nën moshën 14 vjeç, dënimi shkon nga 8 deri në 16 vjet burg. Ndërkohë, kur bashkëjetesa me të miturin kryhet me qëllim përfitimi pasuror, dënimi në secilin rast rritet me deri në 50%.
Drafti parashikon edhe dënime për prindërit apo kujdestarin në rast se ata udhëzojnë, lejojnë, këshillojnë, ose e shtyjnë të miturin e moshës 14 deri 18 vjeç që të bashkëjetojë me personin madhor, rrezikojnë dënim me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet. m.p.