Last Updated on 11/10/2025 by EL
Nga Ardi Stefa
Në ekzistencën e çdo partie vjen një çast kur duartrokitjet mbarojnë, pankartat pluhurosen, dhe në zyrat e saj dëgjohet vetëm jehona e vetvetes. Është ai çasti i sikletshëm kur, për zgjedhjet e radhës, nisin “kërkimet” për kandidatë , e përfundojnë në ndonjë kafe me njerëz që as vetë nuk e dinë pse janë aty. Atëherë lind pyetja e madhe: kur një parti nuk gjen më njerëz për të kandiduar, a është ende parti apo thjesht një nostalgji me logo?
Në Shqipëri, prej vitesh ka parti që nuk përfaqësojnë askënd, por megjithatë futen në zgjedhje me emra që mezi mbushin fletën e kandidimit. Jo sepse besojnë në ndonjë program, por sepse dikush u ka thënë “duhet të jemi prezent”. Prezenca për hir të prezencës është karikaturë politike. Shpesh, kjo “prezencë” s’i prish punë pushtetit, përkundrazi, i shërben si dekor demokracie.
Kur kjo “prezencë” vjen nga partia më e madhe e opozitës, ajo parti, të cilën e themeluam si shpresën e ndryshimit dhe aspiratën drejt Evropës, atëherë nuk është më karikaturë politike, por TRAGJEDI!
Partia Demokratike ka mbërritur në pikën ku pyetja nuk është më kur do fitojmë, por a dimë ende pse ekzistojmë.
PD sot bën sikur bën opozitë, bën sikur kundërshton, bën sikur bën revolucion, bën sikur…
Dhe është në garë për t’i dhënë fasadë një demokracie të kalbur, për t’i bërë nder pushtetit që s’e sfidon dot.
Në fakt, ka vite që i bën nder kundërshtarit. Kur nuk ke strukturë, ide, kur nuk ke figura potente politike apo njerëz të ndershëm që të përfaqësojnë, çdo kandidaturë është dhuratë për pushtetin. Ndërkaq pushteti fiton falë “kandidatëve të opozitës”.
Ndaj është e ndershme të thuhet hapur: PD nuk është më opozitë, është vegël në duart e sistemit që dikur betohej ta shembte; nuk është më faji i manipulimit, por i bashkëpunimit të heshtur.
E them me dhimbje dhe aspak me cinizëm: Nëse partia më e madhe e opozitës nuk është në gjendje të gjejë dot një emër të respektuar në një qytet të vetëm, nuk ka më arsye politike e morale të ekzistojë.
Në politikë, ekzistenca është përfaqësim dhe ekzistenca pa përfaqësim është si dyqani i byreqeve që nuk shet dot byreqe, por ende mban qepenin hapur, për nostalgji.
Një opozitë që shkon në zgjedhje vetëm për të justifikuar ekzistencën e vet, është ulëritëse.
Është koha, të pranohet e vërteta, madje në PD është shumë vonë: PD s’ka më identitet politik, as kredibilitet moral. Ka vetëm njerëz që merren me mbajtjen hapur të qepenit për nostalgji, për interes, apo për ndonjë vend pune në ndonjë këshill bashkiak.
PD nuk mbahet gjallë me nostalgji: “Dikur kemi qenë”.
Nuk mbahet me kujtime nga tribunat e 1990- 1992, ndërsa sot, në 2025-ën s’ka kush të dalë për një fjalim të ndershëm.
PD nuk po humbet më zgjedhjet. PD ka humbur kuptimin. Dhe kjo është humbja e vetme që s’ka më kthim.
Në këtë pikë, ndoshta nderi më i madh që mund t’i bëjë vetes një forcë e tillë është të ulë qepenin me dinjitet, para se të bëhet turpi i çdo liste e zgjedhjesh.
Më mirë një parti më pak, sesa një parti që e themeluam për të sjellë ndryshimin të shërbejë si mashë e pushtetit.
Ndoshta akti më i ndershëm, më politik, dhe më demokratik që PD mund të bëjë sot është pikërisht ky: të ulë qepenin, të ndalë komedinë e vetvetes, të shkojë në “detoks politik”, e pastaj, nëse mbetet diçka e vërtetë, ta nisë nga e para.
Sepse më mirë një opozitë që ringjallet pas heshtjes, sesa një opozitë që kthehet në karikaturë.
Në demokraci, mbyllja e një partie që nuk përfaqëson më asnjë dhe asgjë është një akt pastrimi, jo tragjedi. Tragjedi është ta mbash hapur, thjesht për të mbajtur ndonjë titull e vulë që s’i hyn në punë askujt.
Tragjedi është kur nuk je më alternativë, por alibi.
