Last Updated on 24/02/2025 by adminfjala
Kombëtarja shqiptare e basketbollit ka arritur një sukses të papritur në paraeliminatoret e Botërorit, duke mposhtur Austrinë që 3 muaj më parë nuk tregoi mëshirë për kuqezinjtë.
Kombëtarja shqiptare e basketbollit e ka mbyllur me nder fushatën paraeliminatore të Botërorit 2027. Të besuarit e Erkand Karajt kanë siguruar një fitore të papritur në tranfertën e Austrisë, teksa ia dolën me rezultatin 67-78. Për kuqezinjtë kjo ishte fitorja e parë në paraeliminatore pas 3 humbjeve dhe nuk kishte si të mos festohej me tifozët të cilët ishin në Austri.
Edhe në dhomat e zhveshjes festa ishte e palimituar, pasi suksesi i kombëtares mungonte në 10 ndeshjet e fundit, ndërsa vetëm në nëntor të 2024 Austria kishte fituar në Shqipëri me rezultatin 63-99.
Lojtari i ndeshjes rezultoi basketbollisti Eldi Hysa, i cili realizoi 17 pikë dhe dha 5 asist, ndërsa bëri edhe 1 rebaund. Ky sukses ishte më shumë për të vendosur nderin në vend, pasi Austria kishte siguruar kualifikimin më herët, ndërsa dha sinjalin se ndryshimet te kombëtarja dhe basketbollistët e afruar japin optimizëm për të ardhmen./k.k