Një çift të moshuarish nga Librazhdi, përfunduan në gjendje të rënduar shëndetësore në spital pasi dhëndri i tyre u kishte dhënë për të konsumuar sasi të lartë valiumi. Pas tre ditëve, ata janë kthyer në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
36-vjeçari Muharrem Bitroshi, tashmë i arrestuar, i dha vjehrrit dhe vjehrrës së tij për të konsumuar valium e më pas u grabiti pensionin. Merushe Bitroshi për Top Channel, tregon se mban vend vetëm që kishte shkruar për të marrë pensionin për 3 muaj dhe më pas në shtëpi i erdhi dhëndri. Ai u dha për të pirë asaj dhe bashkëshortit një limonatë, ku brenda kishte hedhur dhe ilaçin e gjumit.
“Vajta mora pensionin, mora tre muaj njëherësh. Erdhi dhëndri, kaq mbaj mend, pije këtë më tha mua. Kur shkova në spital unë lek hiç, lekët mi kishin marrë“-shprehet Merushe Bitroshi.
Merushe dhe burri i saj u gjetën në shtëpi në gjendje të rëndë nga i biri, i cili sapo kishte ardhur nga Greqia teksa i dërgoi me urgjencë drejt spitalit.
“I gjetëm shtrirë, erdhi ambulanca i çoi në Tiranë. Po të mos kishim ardhur, mund edhe të kishin ndërruar jetë”-tregon Jetmir Bitroshi
Policia arrestoi 36 vjecarin Ismail Kllogjeri i cili u dha të moshuarve një dozë të madhe valiumi duke shkaktuar intoksikimin e tyre dhe më pas u grabiti pensionin. Kjo nuk është hera e parë që familja Bitroshi kishte probleme me dhëndrin për shkak të sjelljev të tij të dhunshme. m.p.
