Komentet e presidentit amerikan Donald Trump, i cili e cilësoi Evropën si një “kontinent në rënie”, kanë shkaktuar reagime të forta në Londër. Strategjia e re e sigurisë kombëtare e SHBA-ve, e publikuar javën e kaluar, paralajmëronte madje se Evropa rrezikon “zhdukje civilizimi”, ndërsa në një intervistë për Politico, Trump i quajti udhëheqësit evropianë “të dobët”.
Në Parlamentin britanik, kryeministri Keir Starmer reagoi duke theksuar se tabloja e paraqitur nga Shtëpia e Bardhë nuk përputhet me realitetin që ai sheh. Sipas tij, Evropa është “e fortë dhe e bashkuar” në mbështetjen për Ukrainën dhe në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Starmer u shpreh se ai do të vazhdojë të ngrihet në mbrojtje të këtyre parimeve, pavarësisht deklaratave të Trump-it.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri britanik bëri edhe një njoftim të rëndë, duke konfirmuar vdekjen e një ushtari britanik në Ukrainë. Lance Corporal George Hooley, pjesëtar i Regjimentit të Parashutistëve, humbi jetën të martën pas një aksidenti tragjik, larg vijës së frontit, teksa po vëzhgonte testimin e një pajisjeje të re mbrojtëse nga forcat ukrainase.
Starmer tha se Hooley kishte treguar kurajë dhe vendosmëri gjatë gjithë karrierës së tij dhe kishte shërbyer me nder në misione të ndryshme në mbrojtje të lirisë dhe demokracisë. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ai ishte pjesë e një kontingjenti të vogël britanik që ndodhet në Ukrainë për mbështetje ushtarake dhe për sigurinë e stafit diplomatik. BBC raporton se numri i këtyre trupave mbetet i kufizuar, por qeveria britanike nuk e ka bërë publik shifrën e saktë./mxh
