PD ka bërë me dije se gjatë mbledhjes së sotme të grupit parlamentar nuk është arritur një dakordësi për ngritjen e dy komisioneve të posaçme për Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe asaj territoriale. PD dhe PS nuk ranë dakord në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Mësohet se PD ka kërkuar ndryshimin e pikës 3 në projekt vendimin për reformën zgjedhore, e cila kërkon t’i imponojë opozitës PSD-në si parti të opozitës.
“Kemi kërkuar ndryshimin e pikës 3 në projekt vendimin për reformën zgjedhore që kërkon t’i imponojë opozitës partinë e Tom Doshit si parti të të opozitës. Ndërsa grupi parlamentar i PS-së e ka specifikuar se ka 8 anëtarë në Komisionin për Reformën Zgjedhore , formulimi vijues është 8 përfaqësues të PS dhe 8 përfaqësues nga partite e tjera parlamentare.
Nga njëra anë bëjnë sikur japin barazinë në Komision mes mazhorancës dhe opozitës nga ana tjetër na diktojnë se kush është opozita. Kemi kërkuar të ruhet formati i formulimit që ka patur çdo komision i reformës zgjedhore, ku përcaktohen përfaqesues të grupeve parlamentare, pra 8 përfaqësues të grupit parlamentar të PS, 6 përfaqësues të grupit parlamentar të PD-së, 1 perfaqësues i grupit parlamentar Aleanca për Ndryshim dhe një përfaqësues i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë”, tha Bardhi. m.p.
