Komisioni Europian paraqiti një paketë të dyfishtë propozimesh që parashikon marrjen e huave dhe përdorimin e aseteve të ngrira të bankës qendrore ruse për të mbuluar nevojat financiare të Ukrainës për periudhën 2026–2027.
Në njoftimin zyrtar, ekzekutivi europian tha se paketa përfshin pesë propozime ligjore, mes tyre një “hua reparacionesh” e bazuar tek asetet ruse të bllokuara kryesisht në Belgjikë, si dhe një ndalim të rikthimit të këtyre aseteve në Rusi.
Propozimet parashikojnë gjithashtu masa mbrojtëse për huanë e reparacioneve, me qëllim që të mbrohen vendet anëtare dhe institucionet financiare të BE-së nga çdo formë hakmarrjeje e mundshme, si edhe një ndryshim të kuadrit ligjor që do të lejonte përdorimin e buxhetit të BE-së për garantimin e një huaje për Ukrainën. Belgjika ka kritikuar publikisht nismën për përdorimin e aseteve të ngrira ruse.
Duke folur për gazetarët, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se propozimi merr parasysh “pothuajse të gjitha” shqetësimet e Belgjikës dhe përfshin “masa të forta mbrojtëse për të garantuar siguri për vendet anëtare dhe për të ulur rreziqet”.
Ajo theksoi angazhimin afatgjatë të BE-së ndaj Ukrainës, duke u shprehur se ky mbështetim do t’i pajisë ukrainasit që të mbrojnë veten dhe të marrin pjesë në negociatat e paqes nga një pozitë force.
“Ne e dimë se nuk mund ta barazojmë sakrificën e popullit ukrainas, por ajo që mund të barazojmë është qëndrueshmëria e tyre, vendosmëria e tyre,” tha von der Leyen. “Duhet të rrisim koston e luftës për agresionin e Putinit.”
Propozimet e Komisionit do të diskutohen tani nga vendet anëtare të BE-së, me synimin për të siguruar mbështetje urgjente financiare dhe ushtarake për Ukrainën, duke garantuar njëkohësisht mbrojtje të fortë për të gjitha shtetet anëtare të përfshira./mxh
