Organi ekzekutiv i Bashkimit Evropian e ka miratuar të enjten një plan pesëvjeçar për mbrojtjen, i cili përfshin ndërtimin e një “muri të dronëve” që pritet të jetë plotësisht funksional deri në fund të vitit 2027.
“Qëllimi ynë është t’i forcojmë kapacitetet tona mbrojtëse për ta frenuar agresionin”, deklaroi komisionari i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius, gjatë një konference në Bruksel.
Sipas planit të Komisionit Evropian, Rusia dhe Bjellorusia përbëjnë “kërcënimin më të madh”, duke përmendur shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore të vendeve anëtare të BE-së nga automjetet ajrore pa pilot (UAV), apo dronët.
“Ky ‘mur evropian i dronëve’ duhet të ndërtohet mbi mësimet e nxjerra nga Ukraina për rëndësinë e madhe të krijimit të ekosistemeve inovative të dronëve dhe kundërdronëve, duke e lidhur zhvillimin e mbrojtjes me prodhimin, dhe duke u mbështetur në kapacitete të shkallëzuara prodhimi dhe zhvillimit të vazhdueshëm teknologjik,” thuhet në dokument.
Propozimet, që do t’iu paraqiten për miratim liderëve të BE-së javën e ardhshme, vijnë mes diskutimeve të ashpra mbi cenueshmërinë e Evropës, të cilat u nxitën nga hyrja e 21 dronëve rusë në Poloni në fillim të shtatorit.
Ky incident, së bashku me fluturimet e dronëve rusë mbi Rumani dhe shkelja e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionë luftarakë rusë, çoi në nisjen e iniciativës “Roja Lindore” nga NATO-ja për forcimin e mbrojtjes ajrore.
Ministrja e Mbrojtjes së Lituanisë, Dovile Shakaliene, i tha Shërbimit ukrainas të REL-it se këto shkelje ruse “kanë ndihmuar shumë” në krijimin e ndjenjës së urgjencës.
“Kur gjithnjë e më shumë aleatë të NATO-s shohin sa e rrezikshme është Rusia dhe sa e paparashikueshme po bëhet situata në qiellin tonë, kjo përshpejton proceset – si në financimin e mbrojtjes sonë, ashtu edhe në mbështetjen për Ukrainën”, tha ajo.
Ministri i Mbrojtjes i Suedisë, Pal Jonson, tha për REL-in se incidentet ruse kanë qenë “një kambanë alarmi” për Evropën.
“Duhet të mësojmë shumë nga pala ukrainase dhe do të ishim mirënjohës nëse mund të blinim edhe nga Ukraina në industrinë e mbrojtjes, pasi ata kanë qenë të jashtëzakonshëm në rritjen e prodhimit”, tha ai.
