Last Updated on 26/09/2026 by EL
Europa vijon të mbështetet fuqishëm te Kina për përpunimin e litiumit, një prej lëndëve të para më të rëndësishme për bateritë e automjeteve elektrike dhe sistemet e magazinimit të energjisë. Një kompani gjermane e riciklimit po përpiqet të ndryshojë këtë varësi, duke zhvilluar një teknologji që nxjerr litiumin nga bateritë e përdorura pa përdorur kimikate agresive.
Në fabrikën e saj në Krefeld, kompania familjare Accurec Recycling GmbH përpunon bateri të përdorura dhe rikuperon prej tyre litium, duke synuar krijimin e një zinxhiri europian ku lëndët e para të nxjerra nga bateritë e vjetra të rikthehen në prodhimin e baterive të reja.
E themeluar në vitin 1995, Accurec është specializuar prej më shumë se tri dekadash në riciklimin e baterive. Fillimisht kompania u përqendrua te bateritë me nikel-kadmium dhe nikel-metal-hidrid, ndërsa gjatë 15 viteve të fundit ka investuar gjithnjë e më shumë në teknologjinë e baterive litium-jon, të përdorura sot në telefonë, pajisje elektrike dhe automjete.
Në fabrikën e Krefeldit kompania përpunon aktualisht rreth 5 mijë tonë bateri në vit. Impianti i ri, i vënë në funksion në dhjetor 2025, arrin fillimisht të rikuperojë rreth 50% të litiumit që përmbajnë bateritë, duke përmbushur objektivin europian të rikuperimit për vitin 2027.
Por synimi është shumë më i lartë. Accurec po investon 5.5 milionë euro për të dyfishuar hapësirën e fabrikës dhe për të rritur kapacitetin vjetor deri në 20 mijë tonë bateri të përdorura. Kompania synon që në tremujorin e parë të vitit 2027 të arrijë një nivel rikuperimi prej 80% ose më shumë.
Kina përpunon deri në 70% të litiumit për bateritë europiane
Litiumi është një komponent thelbësor i baterive të rikarikueshme dhe për këtë arsye luan një rol kyç në tranzicionin drejt energjisë elektrike. Megjithatë, Europa mbetet shumë e varur nga Kina për përpunimin e këtij materiali.
Sipas drejtuesit të zhvillimit të Accurec, Simon Bremer, rreth 65–70% e kimikateve të litiumit të cilësisë së përshtatshme për bateri që përdoren në Europë vijnë aktualisht nga prodhimi kinez. Kjo varësi shihet si një dobësi strategjike për industrinë europiane, veçanërisht pasi Kina ka kufizuar në të kaluarën furnizimet me materiale të rëndësishme strategjike, përfshirë tokat e rralla dhe germaniumin.
Accurec nuk pretendon se teknologjia e saj mund ta zgjidhë e vetme problemin e Europës me lëndët e para, por e konsideron riciklimin vendas të baterive një mënyrë për të diversifikuar furnizimin dhe për të mbajtur materiale me vlerë brenda kontinentit.
Si funksionon teknologjia?
Në qendër të procesit të kompanisë, të quajtur “CLIMA”, është një trajtim termik që e bën litiumin të tretshëm në ujë. Fillimisht bateritë klasifikohen dhe, në rastin e baterive të mëdha të automjeteve elektrike, çmontohen. Më pas kalojnë në pirolizë, një proces me temperatura të larta që shpërbën komponentët organikë të baterive.
Ky trajtim ndryshon edhe formën kimike të litiumit, duke bërë të mundur nxjerrjen e tij me ujë, pa pasur nevojë për kimikate agresive. Pjesa tjetër e materialeve mbetet e patretshme dhe mund të ndahet nga litiumi.
Procesi synon gjithashtu të reduktojë konsumin e energjisë. Nxehtësia e krijuar gjatë pirolizës rikuperohet dhe përdoret më pas për rikristalizimin e kripës së litiumit. Sipas kompanisë, teknologjia mund të ulë konsumin e energjisë me pothuajse 50% dhe emetimet e CO₂ për ton karbonat litiumi me më shumë se 59%.
Problemi i “black mass”
Një nga dobësitë kryesore të industrisë europiane të riciklimit të baterive është se shumë impiante nuk kanë kapacitetin për t’i përpunuar materialet e rikuperuara deri në fazën e lëndëve të para individuale.
Shumica e impianteve prodhojnë atë që njihet si “black mass”, një material ndërmjetës që përmban litium, nikel, kobalt dhe elementë të tjerë, por që ende nuk janë ndarë.
Meqë në Europë ka pak kapacitete për ndarjen dhe rafinimin e këtyre materialeve, një pjesë e “black mass” eksportohet drejt Azisë, kryesisht drejt Kinës dhe Koresë së Jugut, ku përpunohet më tej. Kjo do të thotë se bateritë mund të riciklohen në Europë, por materialet e vlefshme që dalin prej tyre largohen sërish jashtë kontinentit.
Accurec po përpiqet ta mbyllë këtë cikël. Një nga partnerët potencialë është AMG Lithium në Bitterfeld, Gjermani, e cila rafinon litium për prodhimin e baterive. Dy kompanitë kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, por ende duhet të zgjidhen çështje teknike përpara se furnizimet të nisin.
Synimi afatgjatë është që litiumi i rikuperuar nga bateritë e vjetra të përpunohet në Europë dhe të përdoret përsëri në prodhimin e baterive të reja në kontinent, duke krijuar një cikël të mbyllur europian të riciklimit.
Çfarë kërkon industria nga BE-ja?
Accurec e konsideron të rëndësishëm vendimin e BE-së për klasifikimin e “black mass” si mbetje të rrezikshme që nga dhjetori 2025, një masë që synon të forcojë kontrollin mbi eksportet. Por kompania argumenton se rregullat do të jenë efektive vetëm nëse autoritetet doganore dhe ato mbikëqyrëse kanë burimet e nevojshme për t’i zbatuar ato.
Një tjetër masë europiane parashikon që nga viti 2031 bateritë e reja të përmbajnë sasi minimale të materialeve të ricikluara. Megjithatë, këto rregulla nuk kërkojnë që materialet e ricikluara të jenë domosdoshmërisht me origjinë europiane.
Për këtë arsye, Accurec kërkon që krahas objektivave për përmbajtjen e materialeve të ricikluara të vendosen edhe kërkesa për një pjesë të materialeve të ricikluara me burim europian.
Sipas kompanisë, Europa ka nevojë për një strategji të koordinuar për të gjithë zinxhirin e baterive, nga riciklimi dhe përpunimi i lëndëve të para deri te prodhimi i qelizave dhe baterive. Vetëm mbështetja e projekteve të mëdha industriale, pa krijuar një rrjet të plotë furnizuesish dhe klientësh, mund të mos mjaftojë për të ndërtuar një industri europiane të baterive.
