Last Updated on 26/09/2026 by EL
Të paktën 11 persona kanë humbur jetën dhe rreth 30 të tjerë janë plagosur nga një sulm vetëvrasës me bombë në veriperëndim të Pakistanit.
Sulmi ndodhi të shtunën në distriktin Dera Ismail Khan, në provincën Khyber Pakhtunkhwa. Sipas autoriteteve lokale, autori i sulmit shpërtheu një automjet të ngarkuar me eksplozivë pranë një pike kontrolli të policisë në anë të rrugës.
Bilal Faizi, zëdhënës i shërbimit provincial të emergjencave, konfirmoi se shpërthimi shkaktoi viktima dhe dhjetëra të plagosur. Të plagosurit janë transportuar për trajtim në institucionet shëndetësore të zonës.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Tehrik- i- Taliban Pakistan(TTP), i njohur edhe si Talibanët pakistanezë.
TTP është një organizatë militante e krijuar në vitin 2007 dhe e lidhur me Talibanët afganë. Grupi ka marrë përgjegjësinë për një numër të madh sulmesh në Pakistan, ndërsa autoritetet pakistaneze e konsiderojnë një nga kërcënimet kryesore militante ndaj vendit.
Sulmet e grupeve militante janë shtuar ndjeshëm në Pakistan gjatë viteve të fundit, veçanërisht në zonat pranë kufirit me Afganistanin. Objektivat kanë qenë kryesisht forcat e sigurisë, por edhe civilë dhe figura politike.
Sipas organizatave që monitorojnë ekstremizmin TTP-të përbëhet nga një rrjet grupesh militante tribale dhe jo-tribale që synojnë të luftojnë kundër shtetit pakistanez.
Autoritetet vijojnë hetimet për sulmin, ndërsa numri i viktimave dhe të plagosurve mund të ndryshojë.
