Kondicioneri është kthyer në një nga aleatët kryesorë për të përballuar temperaturat e larta të verës, por përdorimi i tij i zgjatur dhe në temperatura shumë të ulëta mund të ndikojë në organizëm. Nga tharja e lëkurës dhe irritimi i syve, deri te problemet me frymëmarrjen dhe dhimbjet e kokës, mjekët shpjegojnë se ajri i ftohtë dhe i thatë mund të sjellë disa shqetësime shëndetësore.
Sipas mjekëve të familjes të cituar nga The Independent, problemi nuk është vetë kondicioneri, por mënyra si përdoret ai. Ekspozimi për orë të gjata ndaj ajrit të ftohtë, ndryshimet e menjëhershme të temperaturës dhe filtrat e papastruar mund të ndikojnë në shëndetin tonë.
Një nga efektet më të zakonshme është tharja e lëkurës. Kondicionerët largojnë lagështinë nga ajri për të krijuar një ambient më të freskët, por kjo bën që edhe lëkura të humbasë më shumë ujë. Sipas Dr. Opel Baker nga Klinika Mayfield në Brighton, kjo mund të shkaktojë ndjesi shtrëngimi, lëkurë të thatë, buzë të çara dhe përkeqësim të irritimeve ose ekzemës te personat me lëkurë të ndjeshme.
Ajri i thatë mund të ndikojë edhe tek sytë, duke shkaktuar djegie, pickim ose ndjesinë sikur ka diçka brenda tyre. Personat që përdorin lente kontakti janë më të prirur të përjetojnë këto shqetësime, ndaj ekspertët rekomandojnë hidratim të syve dhe shmangien e ekspozimit të gjatë në ambiente shumë të thata.
Një tjetër pasojë mund të jetë tharja e hundës dhe fytit. Kur lagështia në ajër bie, thahet edhe mukoza që mbron rrugët e frymëmarrjes. Kjo mund të sjellë dhimbje fyti, bllokim të hundës, ngjirje zëri dhe në disa raste edhe gjakderdhje nga hunda.
Dr. Lucy Hooper shpjegon se mukoza është një nga mekanizmat natyralë mbrojtës të trupit, ndaj tharja e saj mund ta bëjë organizmin më të ndjeshëm ndaj irritimeve dhe infeksioneve.
Probleme mund të shfaqen edhe me mushkëritë, sidomos kur kondicioneri nuk mirëmbahet siç duhet. Filtrat e papastër mund të mbledhin pluhur, polen dhe myk, të cilat më pas qarkullojnë në ajrin që thithim. Kjo mund të irritojë rrugët e frymëmarrjes dhe të përkeqësojë simptomat te personat me astmë ose probleme kronike të mushkërive.
Përdorimi i gjatë i kondicionerit në temperatura shumë të ulëta mund të lidhet gjithashtu me dhimbje koke dhe tension muskulor. Qëndrimi për shumë kohë në ambiente të ftohta mund të shkaktojë ngurtësi në qafë, dhimbje shpatullash dhe ndjesi lodhjeje.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se nuk ka arsye për të shmangur kondicionerin. Çelësi është përdorimi i moderuar. Pirja e mjaftueshme e ujit, hidratimi i lëkurës, pastrimi i rregullt i filtrave dhe shmangia e drejtimit të ajrit direkt në fytyrë ose trup mund të reduktojnë ndjeshëm efektet negative.
Sipas mjekëve, temperatura ideale duhet të jetë e rehatshme dhe jo shumë e ulët krahasuar me ambientin jashtë. Gjithashtu, këshillohet që kondicioneri të mos ndizet menjëherë sapo hyni nga jashtë, nëse ambienti nuk është ende i padurueshëm nga vapa.
Pra, kondicioneri vetë nuk shkakton sëmundje, por përdorimi i gabuar i tij mund të ndikojë në lëkurë, sy, rrugët e frymëmarrjes dhe mirëqenien e përgjithshme./ad
