Një kongresmen federal meksikan nga partia në pushtet MORENA është gjetur i vdekur në makinën e tij në shtetin juglindor të Veracruz, me një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në kokë.
Bëhet fjalë për ish-ministrin e Arsimit në Veracruz, Sensayen Escobar, 42 vjeç, i cili u zgjodh deputet në dhomën e ulët të parlamentit meksikan në shtator të vitit 2024.
Pas hetimeve, zyra e prokurorit federal që po merret me çështjen ka njoftuar se politikani nuk është vrarë, por ka kryer vetëvrasje.
Escobar u gjet me një armë pranë tij në automjet. Ngjarja ndodhi në Veracruz, një prej shteteve më të dhunshme të Meksikës, ku aktiviteti i grupeve kriminale dhe trafiku i drogës kanë shkaktuar një numër të lartë vrasjesh.
Sipas prokurorisë, hetimi ka çuar në përfundimin se vdekja e kongresmenit ka ardhur si pasojë e vetëvrasjes.
Megjithatë, skenari i vrasjes nuk është përjashtuar plotësisht, ndërsa autoritetet kanë vijuar shqyrtimin e rrethanave të ngjarjes.
Sipas raportimeve të mediave meksikane, një nga elementët që ka ndikuar në përfundimin e prokurorisë është fakti se makina e Escobar u gjet e parkuar në anë të rrugës, pa shenja dëmtimi dhe me dyert e mbyllura.
Sensayen Escobar kishte shërbyer si ministër i Arsimit në Veracruz nga viti 2018 deri në vitin 2021. Në vitin 2024 ai u zgjodh deputet në dhomën e ulët të Kongresit meksikan, duke përfaqësuar partinë MORENA./k.m
