Last Updated on 26/11/2026 by Anisa
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka lëshuar akuza të forta nga salla e Kuvendit në drejtim të Partisë Demokratike dhe kryetarit të saj, Sali Berisha, duke i akuzuar për nxitje të dhunës dhe braktisje të angazhimit për integrimin evropian të Shqipërisë.
Gjatë fjalës së tij, Balla nuk kurseu as ironitë ndaj opozitës, duke iu referuar deklaratave të Tomorr Alizotit për sekretarët e Partisë së Punës. Ai iu drejtua demokratëve duke deklaruar se i vetmi sekretar i asaj partie është kreu i tyre, Sali Berisha.
“E dëgjova me vëmendje nënkryetarin e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, i cili në fund përmendi dhe sekretarët e Partisë së Punës. I vetmi sekretar partie i Partisë së Punës në këtë sallë është kryetari i partisë tënde, zotëri.
Ta mbash me shëndet edhe jetë të gjatë përpara. Po sekretarët e partisë mos i shiko nga ne. Ne, Partia Socialiste e Shqipërisë, e kemi dënuar diktaturën më 12 qershor 1991 dhe prej asaj dite jemi të angazhuar çdo ditë për projektin më të rëndësishëm të historisë së re të Shqipërisë, që është anëtarësimi në Bashkimin Europian. Dhe sot është dita që edhe ju, Partia Demokratike e Shqipërisë, nëse doni të punoni bashkë me ne për këtë projekt historik, jeni të mirëpritur.
Sot mbahet Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian në prani të komisioneres për zgjerimin, Marta Kos, ku unë besoj që mesazhi i përbashkët i të gjitha forcave politike duhet të jetë pikërisht puna për të çuar përpara të gjitha reformat.
Ju kujtoj, duke qenë se jemi në momentin që po diskutojmë programin dhe kalendarin për javët e fundit të këtij sesioni parlamentar, se ende deri më sot Partia Demokratike e Shqipërisë nuk ka votuar qoftë edhe një ligj të vetëm që lidhet me detyrat tona të përbashkëta të përafrimit të legjislacionit me BE dhe me plotësimin dhe përmbushjen e reformave që Shqipëria jonë e përbashkët ka në këtë fazë historike.
Koha është tani për t’i lënë mbrapa diskutimet e pavlera, retorikën agresive, dhunën dhe mos harroni për asnjë moment, qytetarët shqiptarë, shqiptarët nuk i merrni dot për budallenj, dhunën në rrugë kundër institucioneve në këto 35 vite e frymëzon vetëm një njeri dhe ai është sekretari i partisë brenda jush.
Distancohuni, distancohuni përfundimisht nga dhuna. Nuk mund të jetë Partia Demokratike ajo që lindi si aspiratë e të rinjve shqiptarë për ta parë Shqipërinë si gjithë Europa, sot e vetmja ndërmarrje magazinë prodhimi molotovësh. E keni degjeneruar Partinë Demokratike në një fabrikë prodhimi artizanal molotovësh.
Dhe sa i përket kalendarit, zotëri, apo programit, ju dëgjova me vëmendje, në fjalën tuaj nuk kishit asgjë për kalendarin dhe programin, sepse për ta mësuar, akti normativ për të cilin ju folët është sot në rendin e ditës. Dhe akti normativ, koleg, përfshihet automatikisht. Ne do të kemi diskutim të plotë për këtë akt normativ, i cili e çon legjislacionin shqiptar për tubimet në një nivel të përafërt me atë të vendeve anëtare të Bashkimit Europian, duke ju kujtuar se në vendet e Bashkimit Europian ato penalitete janë shumë më të ashpra.
Ne jemi shumë larg ende. Ju kam dëgjuar teksa sulmonit Policinë e Shtetit, duke agresuar dhe ju personalisht apo të tjerë ndër ju, apo të frymëzuar ndër ju. Mos harroni kurrë, Policia e Shtetit është aty për të bërë detyrën. Policia e Shtetit është aty për të ruajtur rendin dhe qetësinë, për të garantuar nga mëngjesi deri në mbrëmje. Jeni e vetmja parti në Evropë që nuk është distancuar nga dhuna”, tha mes të tjerash Balla.
