Të shtunën, konservatorët fituan në një palë zgjedhje në shtetin australian të Viktorias, të cilat ndiqeshin me vëmendje të madhe. Ata penguan një përparim të mundshëm të partisë anti-imigracion “One Nation” dhe rrëzuan qeverinë laburiste në një shtet që prej kohësh konsiderohej si një nga bastionet e partisë së qendrës së majtë, shkruan Reuters.
Sipas parashikimeve të Korporatës Australiane të Transmetimeve (ABC), ndërsa numërimi i votave vazhdonte deri në mbrëmje, koalicioni i qendrës së djathtë “Liberal-National” kishte siguruar të paktën 49 nga 88 vendet në dhomën e ulët të parlamentit shtetëror, duke i dhënë kështu fund 12 viteve të qeverisjes laburiste.
“Banorët e Viktorias kanë dhënë një mesazh të qartë se nuk mund të lejojnë që shteti të vazhdojë në drejtimin që ka ndjekur deri më tani,” tha Jess Wilson, 36 vjeçe, liderja e Partisë Liberale në shtet, e cila do të bëhet kryeministrja më e re e shtetit dhe gruaja e parë e zgjedhur në këtë post.
“Banorët e Viktorias duan një fillim të ri,” shtoi Wilson.
Sipas ABC-së, në këtë fazë, Partia Laburiste kishte siguruar vetëm pesë vende – një rënie e ndjeshme nga 54 që kishte më parë – dhe po shkonte drejt rezultatit të saj më të keq zgjedhor, ndonëse numërimi i votave për 26 vende të tjera mbetet ende i pasigurt. Partia e Gjelbër, e krahut të majtë, kishte fituar shtatë vende.
Ky rezultat ka gjasa të shërbejë si një kambanë alarmi për qeveritë laburiste në shtetin më të madh, Uellsi i Ri Jugor, si dhe në nivel federal, të cilat së shpejti do të përballen me zgjedhje nën të njëjtat presione ekonomike.
Por, kjo mund t’i japë gjithashtu siguri establishmentit politik australian se forcat populiste, të cilat po riformësojnë politikën në Evropë dhe Amerikën e Veriut, nuk kanë arritur ende të rrënjosen plotësisht në vend.
Sipas ABC-së, partia “One Nation” – e themeluar në vitin 1997 nga figura e zjarrtë Pauline Hanson dhe e cila ka shënuar rritje në sondazhe gjatë vitit të fundit mes pakënaqësisë në rritje lidhur me kostot e strehimit, imigracionin dhe standardin e jetesës – parashikohej të fitonte vetëm një mandat.
Për pjesën më të madhe të ekzistencës së saj, kjo parti ka qëndruar në periferi të skenës politike. Pas humbjes dërrmuese të koalicionit konservator federal në vitin 2025, ajo u pozicionua si kundërpërgjigjja australiane ndaj fenomenit të përfaqësuar nga presidenti amerikan Donald Trump, partia “Alternativa për Gjermaninë” (AfD) dhe lëvizja “Reform UK”.
Megjithatë, rezultati në shtetin e Viktorias sugjeron se australianët ndihen më të qetë duke e shprehur pakënaqësinë e tyre përmes partive tradicionale, sesa duke ua besuar pushtetin lëvizjeve që kundërshtojnë establishmentin.
Partia “One Nation” paraqiti kandidatë për të gjitha 88 vendet në dhomën e ulët të parlamentit shtetëror – një rritje krahasuar me pesë kandidatë në zgjedhjet e mëparshme të vitit 2022 – duke deklaruar se synonte fitoren për të formuar qeverinë.
Të shtunën, Hanson u shpreh se qëllimi i saj kishte qenë gjithmonë “të largonte nga ky shtet partinë ‘Labor’ (Laburistët) dhe ‘Të Gjelbrit’ toksikë”, duke shtuar: “dhe ne ia dolëm”.
“Arritëm atë që kishim planifikuar,” shtoi Hanson, ndërsa qëndronte përkrah Warren Pickering-ut, kreut të “One Nation” në shtetin e Viktorias, për të cilin transmetuesi ABC parashikoi se do ta humbiste vendin për të cilin kandidonte.
Për partinë “Labor”, ky rezultat shkatërrues pritej gjerësisht pas një periudhe në pushtet që përfshiu, ndër të tjera, zbatimin e izolimit më të gjatë në botë për një qytet – Melburnin – gjatë pandemisë COVID-19. Kjo situatë krijoi mosbesim te një pjesë e votuesve dhe çoi në borxhin më të madh shtetëror në Australi.
“Banorët e Viktorias e thanë fjalën e tyre dhe mesazhi është i qartë: ata duan ndryshim,” deklaroi Ben Carroll, një nga anëtarët e partisë “Labor” që humbi vendin e tij në parlament./mxh
