Last Updated on 20/10/2026 by Anisa
Institucioni i Avokatit të Popullit paraqiti të martën gjetjet e institucionit gjatë 24 orëve të fundit të protestës në Tiranë.
Ahmet Prençi, drejtues i MKPT (Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës) në zyrën e Avokatit të Popullit i cili publikoi gjetjet në një konferencë për mediat tha se shqetësuese janë pretendimet e pesë të miturve për dhunë fizike dhe verbale në Komisariatin nr. 1, ku te dy prej tyre janë konstatuar shenja dëmtimi fizik.
Disa nga gjetjet e Avokatit të Popullit
Garancitë procedurale për të miturit
Në komisariatin nr. 1, të miturve nuk u ishte dhënë formulari i të drejtave. Pas ndërhyrjes sonë, u dha formulari për të rriturit, por edhe ai ishte i papërditësuar. Gjashtë të mitur u regjistruan në regjistrin e të rriturve. Në komisariatin nr. 4, regjistri i të miturve ishte plotësuar pjesërisht.
Dhuna ndaj të rriturve
Të shoqëruarit pretenduan për dhunë gjatë momentit të ndalimit duke përfshirë përdorimin e sprait me piper dhe të gazit lotsjellës, goditje me bombol gazi lotsjellës, tërheqje zvarrë, si dhe dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e policisë së shtetit. Një ankues pretendoi se u godit në një zyrë të komisariatit nr. 4, ku nuk ka kamera sigurie.
Kontrolli i telefonave
Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria.
Shoqërimet pa shkak individual
Disa ankues deklarojnë se u shoqëruan në komisariat pa patur një shkak të ligjshëm pasi ata ishin kalimtarë të rastit, pa lidhje me protestën.
Në Bllokun e Sigurisë ndodhen rreth 109 persona të arrestuar. Mbingarkesa e ambienteve është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor.
Identifikimi i punonjësve të policisë
Në komisariatet nr. 2 dhe 4 u evidentuan punonjës policie pa numra identifikues, si dhe mangësi të dhënash në regjistrat e shoqërimit.
Ne përfundim:
Theksojmë se e drejta për tubim paqësor është e garantuar nga Kushtetuta, dhe protestuesit duhet ta ushtrojnë atë paqësisht. Ne dënojmë çdo akt dhune, nga kushdo që vjen.
Policia e shtetit ka detyrimin të garantojë sigurinë publike, por forca duhet të përdoret vetëm kur është e domosdoshme dhe në masë proporcionale.
Gjithashtu çdo punonjës i policisë duhet të jetë i identifikueshëm dhe të mbajë përgjegjësi individuale për veprimet që kryen.
Të miturit kanë garanci të veçanta, që nuk mund të anashkalohen në asnjë rrethanë.
Nisur nga ato që kemi konstatuar deri në këtë fazë kërkojmë:
Policia e Shtetit: identifikim I tyre eshte i detyrueshëm per çdo punonjës në detyrë, me numër identifikues të dukshëm, dhe identifikim i automjeteve në çdo operacion.
Ministria e Brendshme: Te ndërhyj urgjente për mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë, me zvogëlimin e menjëhershëm të numrit të personave dhe transferimin në ambiente të tjera brenda kapacitetit ligjor.
Policia e Shtetit: Te siguroj kamera në çdo ambient shoqërimi dhe intervistimi ne çdo zyrë, me ruajtje të pamjeve, dhe ruajtja e menjëhershme e pamjeve të datës 19 tetor.
Policia e Shtetit: Nuk lejohet asnjë kontroll i telefonave pa urdhër gjyqësor, dhe asnjë kërkesë për fjalëkalime pa bazë ligjore.
Policia e Shtetit: Te sigurohet ne cdo rast prezenca e prindit ose kujdestarit dhe e psikologut për çdo intervistë me të mitur; formular i të drejtave në versionin për fëmijë, para çdo pyetjeje; regjistër i veçantë për të miturit.
Policia e Shtetit: Te realizohet trajnim I vazhdueshem mbi përdorimin proporcional të forcës dhe të gazit lotsjellës
Policia e Shtetit: te plotësoj regjistrat e shoqërimit me të gjitha të dhënat e kërkuara.
Ministria e Shëndetësisë dhe Policia e Shtetit: te siguroje mjek te disponueshëm ne çdo kohë në ambientet e shoqërimit, dhe dokumentim mjekësor i çdo dëmtimi sipas Protokollit të Stambollit./ad
