Last Updated on 07/08/2026 by Kesjana
**
Autoritetet në Korenë e Jugut kanë rikuperuar 15 mina tokësore që besohet se janë sjellë nga Koreja e Veriut si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm të sezonit të musoneve dhe përmbytjeve të fundit.
Minat u gjetën përgjatë zonave bregdetare të qarkut Gwanghwa, një arkipelag në veriperëndim të vendit, i vendosur pranë grykëderdhjes së lumit Han, ku kalon kufiri mes dy Koreve. Sipas drejtueses së mbrojtjes civile të qarkut, Choi Young-ran, eksplozivët u zbuluan gjatë periudhës 23 korrik – 3 gusht dhe janë rikuperuar të gjitha.
Zona e Çmilitarizuar (DMZ), që ndan Korenë e Veriut dhe Korenë e Jugut që nga përfundimi i Luftës së Koresë (1950-1953) me një armëpushim, konsiderohet një nga zonat më të minuara në botë. Sipas të dhënave ushtarake, rreth 800 mijë mina mendohet se ndodhen ende të varrosura përgjatë kufirit, shumë prej tyre që nga lufta, ndërsa vendosja e minave ka vazhduar edhe në vitet e fundit.
Muajin e kaluar, ushtria e Koresë së Jugut paralajmëroi se reshjet e dendura mund të transportonin mina përmes lumenjve që kalojnë kufirin, duke krijuar rrezik serioz për shpërthime në zonat më të ulëta.
Në fund të korrikut, autoritetet lokale në Gwanghwa u dërguan banorëve njoftime paralajmëruese për rrezikun e minave përgjatë bregdetit dhe theksuan se nuk përjashtohet mundësia që të zbulohen edhe të tjera.
Banorët e zonës shprehen të shqetësuar për sigurinë. Park Heung-yeol, një banor i Gwanghwa-s, tha se edhe pse incidenti i vitit 2015, kur dy ushtarë koreanojugorë humbën gjymtyrët pas shpërthimit të një mine në DMZ, ndikoi negativisht në turizëm, shumë persona vazhdojnë të mbledhin guaska në bregdet.
Ndërkohë, përmbytjet kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në Korenë e Veriut. Sipas analizave satelitore, qindra banesa në një bazë ushtarake pranë kufirit janë shkatërruar pas shirave të dendur dhe një shembjeje të mundshme të një dige. Infrastruktura e dobët dhe shpyllëzimi e bëjnë vendin veçanërisht të prekshëm nga fatkeqësitë natyrore.
Banorët përgjatë kufirit vazhdojnë të përballen me rreziqe të vazhdueshme, përfshirë balonat me mbeturina të dërguara nga Pheniani dhe transmetimet me zhurma shqetësuese nga ana veriore e kufirit./FC
