Një grua braziliane është dënuar me një vit burgim për shkak të përndjekjes së yllit të pop-it, Jungkook, anëtar i grupit BTS, pasi vizitoi vazhdimisht shtëpinë e tij në Seul dhe injoroi urdhrat e autoriteteve për të qëndruar larg.
Sipas vendimit të Gjykatës së Distriktit në Seul, gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, filloi ta përndiqte këngëtarin në dhjetor të vitit të kaluar. Ajo u përpoq të linte letra dhe fotografi në pragun e shtëpisë së tij, duke pretenduar se veprimet e saj ishin të motivuara nga dashuria për artistin 28-vjeçar.
Hetimet zbuluan se më 7 dhjetor ajo u shfaq për herë të parë në banesën e Jungkook-ut, ku lëvizi nëpër pronë, hodhi sende mbi mur dhe futi letra nëpër hapësirat e derës. Disa ditë më vonë, ajo u kthye sërish dhe i ra ziles së derës plot 133 herë, një veprim që gjykata e cilësoi si dëshmi të një niveli ekstrem obsesioni.
Gruaja u arrestua më 13 dhjetor pasi ndoqi një korrier ushqimi për të hyrë në pronë nga një portë anësore. Edhe pse u lirua të nesërmen me paralajmërimin për të mos iu afruar më shtëpisë së këngëtarit, ajo vazhdoi ta shpërfillte urdhrin.
Për shkak të sjelljes së përsëritur, policia lëshoi një urdhër emergjence që e ndalonte të afrohej më pak se 100 metra nga prona. Megjithatë, vizitat e saj vazhduan, duke çuar në referimin e çështjes te prokuroria në shkurt.
Gjykata dëgjoi se gruaja kishte vizituar pronën rreth 22 herë në total. Megjithëse u shpall fajtore, gjyqtari vendosi një dënim me kusht, duke marrë parasysh disa rrethana lehtësuese dhe duke vlerësuar se rreziku i përsëritjes së veprës penale nuk ishte i lartë.
Përveç dënimit, ajo pritet të deportohet nga Koreja e Jugut, nëse nuk arrin të rrëzojë vendimin përmes procesit të apelimit.
Rasti vjen pas një incidenti tjetër të ngjashëm në qershor të vitit të kaluar, kur një grua kineze në të 30-at u arrestua në Seul teksa përpiqej të hynte me forcë në shtëpinë e Jungkook-ut vetëm disa orë pasi ai kishte përfunduar shërbimin ushtarak./ kb
