Koreja e Jugut po shndërrohet në një nga destinacionet më të kërkuara për turizmin mjekësor, ndërsa gjithnjë e më shumë udhëtarë zgjedhin të kryejnë kontrolle të plota shëndetësore gjatë pushimeve të tyre.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies së Koresë së Jugut, në vitin 2025 vendi priti mbi 2 milionë pacientë të huaj, duke shënuar një rritje prej 71.7 për qind krahasuar me vitin pararendës. Vizitorët vijnë kryesisht nga Kina, Japonia, Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara.
Interesi në rritje lidhet me kostot më të ulëta të shërbimeve mjekësore, kohën e shkurtër të pritjes dhe mundësinë për të kryer një gamë të gjerë ekzaminimesh brenda një dite. Klinikat koreane ofrojnë paketa që përfshijnë analiza gjaku, radiografi, ultratinguj, rezonancë magnetike, endoskopi dhe ekzaminime të tjera diagnostikuese.
Shumë pacientë të huaj raportojnë se procedurat zgjasin vetëm disa orë dhe zhvillohen në mënyrë të organizuar, me mbështetje në gjuhën angleze ose përmes përkthyesve. Pas përfundimit të kontrolleve, ata marrin rezultatet në anglisht dhe, në rast nevoje, orientohen për konsultime apo trajtime të mëtejshme.
Përfaqësues të sektorit shëndetësor në Korenë e Jugut theksojnë se sistemi i vendit fokusohet te parandalimi dhe zbulimi i hershëm i sëmundjeve, ndërsa çmimet e rregulluara nga shteti e bëjnë kujdesin shëndetësor më të përballueshëm krahasuar me shumë vende të tjera.
Autoritetet koreane e konsiderojnë turizmin mjekësor një sektor me rëndësi strategjike dhe po vijojnë investimet për të tërhequr pacientë nga e gjithë bota, duke synuar ta konsolidojnë Korenë e Jugut si një nga qendrat kryesore ndërkombëtare të kujdesit shëndetësor./Kb
