Last Updated on 17/02/2026 by Anisa
Sot Kosova feston 18-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen solemne të Qeverisë me rastin e 18-vjetorit të pavarësisë, tha se kjo ditë feste dhe reflektimi nuk mund të kalojë pa u kujtuar përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë dhe që sot ndodhen në Hagë.
Ai theksoi se kontributi i tyre për lirinë dhe pavarësinë e vendit është i çmuar, ndërsa historia, sipas tij, do të japë gjykimin e drejtë.
“Nderojmë qëndresën dhe sakrificën e popullit, nderojmë heronjtë dhe veprimtarët e rënë ndër shekuj, rezistencën paqësore dhe kryengritjet e armatosura pas Luftës së Dytë Botërore, që kulmuan me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sot pavarësia jonë mbush 18 vjet.
Mbase një moshë e re për shtetin, por një kapitull i rëndësishëm në rrugëtimin tonë të gjatë si popull. Vërtet shteti, pavarësia dhe kushtetuta jonë është e re, por gjuha, kultura dhe populli ynë janë të lashtë. Secili qytetar pavarësisht gjuhës apo etnisë, fesë apo prejardhjes, është i barabartë para ligjit”, tha ai.
Gjithashtu Kurti kujtoji se ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë. Kurti theksoi se në këto 18 vite Kosova ka bërë përparime të dukshme në shumë fushata.
“Në këto 18 vite kemi arritur shumë si shtet dhe si shoqëri. Nga ditët e para të njohjeve ndërkombëtare, të cilat tani numërojnë 121 sosh, e deri te konsolidimi i institucioneve demokratike dhe sundimit të ligjit. Nga ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme e në rritje, te forcimi i ushtrisë sonë dhe i kapaciteteve mbrojtëse. Nga fitoret ndërkombëtare në sport, art e kulturë, te pjesëmarrja në forume botërore.
Nga lëvizja e lirë pa viza te hapat konkretë drejt integrimit evropian, përfshirë aplikimin në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës, të cilat janë arritje që na bëjnë krenarë të gjithë. Në këtë ditë feste dhe reflektimi, nuk mund të mos kujtoj se përfaqësuesit që morën pjesë në shpalljen e pavarësisë së republikës sonë, sot mbahen padrejtësisht në Hagë. Kontributi i secilit prej tyre për lirinë dhe pavarësinë është i çmuar dhe historia do të jetë ajo e cila do ta bëjë gjykimin e drejtë”, shtoi Kurti./AD
